Diplomati austriak: Thaçi cilësohej më shumë si figurë politike sesa ushtarake

Gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, diplomati austriak Jan Kickert, është pyetur për rolin e Hashim Thaçit në atë kohë. Kickert tha se gjatë vitit 1998 është konsideruar më shumë si figurë politike sesa ushtarake.

Dëshmitari tha se një gazetar kosovar i kishte thënë se Thaçi ishte një personalitet i nivelit të lartë i cili mund të fliste në emër të UÇK-së në procesin politik.

“Është e saktë, sepse atë po e kërkonim edhe ne. Kjo më ishte thënë mua nga një gazetar vendor, si personalitet potencial i nivelit të lartë i cili mund të fliste me autoritet në emër të UÇK-së për procesin politik, të cilin ne po përpiqeshim ta arrinim”, deklaroi Kickert.

Ai shtoi se është takuar disa herë edhe me Kadri Veselin gjatë asaj periudhe kohore, si dhe kishte shkuar edhe në zonën e Llapit

“Nuk e di, më duket që Remi ka qenë në rajonin e Llapit, por nuk e di se kur mund të kem shkuar në komandën e tij. Nuk e di as deri ku shtrihej kjo zonë. Ne kemi pasë zhvilluar diskutime në janar të 1999-ës lidhur me ushtarët e ushtrisë jugosllave”, tha ai

Jan Kickert tha se në atë kohë e kishte përshtypjen se rajonet ishin grupe që vepronin në mënyrë autonome sesa përmes një komande hierarkike.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, si të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020, ndërsa ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.