Foto: RFE/REL

David Cameron viziton sot Tiranën

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, do të vizitojë sot Shqipërinë, ku do të takohet me liderët më të lartë të vendit.

Cameron do të zhvillojë takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me ministrin e Jashtëm Igli Hasani, me të cilin do të ketë një konferencë për mediat, para se ta pritet pastaj nga presidenti Bajram Begaj.

Për ta pritur zyrtarin e lartë britanik, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është stolisur me flamuj britanikë dhe shqiptarë, ndërsa në ndërtesën e Universitetit Politeknik është vendosur një banderolë ku shkruhet “Mirë se vini zotëri Cameron”.

Në një deklaratë për mediat britanike para mbërritjes në Shqipëri, Cameron kishte thënë se partneriteti i Britanisë me Shqipërinë po jep rezultat sa i përket luftës kundër migracionit të paligjshëm, që shënoi rënie për 90 % në vitin 2023.

Gjatë vitit 2022, mbi 45 mijë njerëz e kaluan Kanalin Anglez për të mbërritur në Britani të Madhe. Ministria britanike e Mbrojtjes veçoi imigrantët shqiptarë, iranianë dhe ata afganë në këtë shifër rekorde.

Më 14 janar, ministri britanik për Imigrim, Robert Jenrick, ka thënë se autoritetet shtetërore janë duke punuar për të luftuar hyrjet e paligjshme dhe ka përmendur në veçanti migrantët nga Shqipëria.

Së bashku, ne po e forcojmë partneritetin tonë, po forcojmë sigurinë evropiane, duke investuar në gjeneratën e ardhshme të të rinjve, duke ndërtuar lidhje tregtare dhe duke trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për të siguruar që ne të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për vendet tona”, tha Cameron.

Ambasada britanike në Tiranë njoftoi pak ditë më parë se Cameron do ta nënvizojë suksesin e partneritetit mes dy vendeve për t’i bërë ballë trafikantëve me qenie njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Gjithashtu u bë e ditur se sekretari i Jashtëm britanik do të njoftojë një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare.

Mbretëria e Bashkuar ka ofruar 4 miliardë paund për projekte në Shqipëri, që do të realizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Financës, Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe bashkitë në të gjithë vendin.

Sipas ambasadës britanike në Tiranë, lidhjet tregtare janë dyfishuar vitin e kaluar dhe turistët e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri janë rritur për 30% në janar 2024, krahasuar me janarin e vitit 2023, duke i hapur rrugë parashikimeve për një turizëm në nivele rekord këtë vit./REL