Çmimi Nobel për mjekësi u jepet shkencëtarëve për punën e tyre në vaksinën mRNA kundër Covid-19

Çmimi Nobel për Mjekësinë e këtij viti u fitua nga Katalin Karikó dhe Drew Weissman për punën e tyre në vaksinat mRNA kundër Covid-19, njoftoi të hënën Asambleja Nobel në Institutin Karolinska të Suedisë.

Dy shkencëtarët e lartcekur e fituan Çmimin Nobel në Mjekësi 2023 për kontributin e tyre në biologjinë e ARN-së, e cila mundësoi zhvillimin e vaksinave mRNA që ndryshuan rrjedhën e pandemisë Covid.

Katalin Karikó dhe Drew Weissman ndajnë një çmim prej 11 milionë korona suedeze, i cili u shpall të hënën nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm.

Komiteti Nobel dha çmimin për zbulimet në lidhje me modifikimet e bazave nukleozide që mundësuan zhvillimin e vaksinave efektive të mRNA kundër Covid.

Karikó dhe ëeissman i publikuan rezultatet e tyre në një punim të vitit 2005 që mori pak vëmendje në atë kohë, tha komiteti i çmimit Nobel, por më vonë i hodhi bazat për zhvillime kritike të rëndësishme që i shërbyen njerëzimit gjatë pandemisë Covid-19.

Komiteti vlerësoi zbulimet novatore të shkencëtarëve që kanë ndryshuar rrënjësisht të kuptuarit tonë se si mRNA ndërvepron me sistemin tonë imunitar.

“Laureatët kanë kontribuar në një shkallë të paprecedentë të zhvillimit të vaksinave gjatë një prej kërcënimeve më të mëdha për shëndetin e njeriut në kohët moderne”, shtoi komiteti në një deklaratë./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala