Challandes: Në Kosovë gjithmonë do të pritem si princ
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka shkarkuar trajnerin Bernard Challandes pas dy humbjeve të pësuara në ndeshjet e muajit tetor, kundër Suedisë me rezultat 3:0 dhe kundër Gjeorgjisë me rezultat 2:1.
Bernard Challandes pati një fillim të mirë të Kosova, pasi fillimisht kishte një bilanc prej 14 fitoreve por që më vonë rezultatet filluan të ndryshojnë edhe Kosova nuk ishte në formën më të mirë të saj.
Lidhur më këtë, Challandes ka bërë në një intervistë të gjatë për gazetën zvicerane lematin.
Ai fillimisht ka folur për zgjatjen e kontratës që i është bërë pas ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut.
‘’Sa i përket zgjedhjes së Federatës për të më zgjatur kontratën, ndoshta nuk ishte menduar sa duhet. Do të ishte më mirë të zgjatej ose deri në fund të kualifikimeve aktuale, ose deri në fund të Ligës së ardhshme të Kombeve, në fund të vitit 2022’’, është shprehur Challandes.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë marrëdhënie të acaruar me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
‘’Përvoja nuk përfundoi keq, edhe pse ka pasur një ndarje. Ne e bëmë këtë me shumë qetësi dhe madje shkuam për të ngrënë së bashku pasi e morëm këtë vendim, por padyshim që nuk më bën të lumtur’’, ka thënë Challandes.
Ai e pranon që nëse nuk do të humbte ndeshjen kundër Gjeorgjisë, ndoshta nuk do të shkarkohej nga Federata e Futbollit të Kosovës.
‘’Nëse do të kishim fituar kundër Gjeorgjisë, mund të mos ishim këtu për të diskutuar. Kishte shumë spektatorë presion, gazetarë’’, thotë Challandes.
Ai thotë që sa herë që vjen në Kosovë do të pritet si një princ.
“Gjatë konferencës për shtyp, të gjithë vunë re se unë isha një legjendë, se nuk do të harrohem kurrë në Kosovë, se kurrë nuk do të falënderohem sa duhet për punën e bërë për vendin dhe se gjithmonë do të mirëpritem si një princ”, ka shtuar ish trajneri i Kosovës.
Në fund ai është shprehur se Kosovën në të ardhmen shumë ekipe nuk do të dëshironin ta kinin në grup.
‘’Jam i bindur se ky vend do të bëjë përparim të mëtejshëm, se ekipi do të bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u manovruar dhe se kundërshtarët e tij do të duan ta shmangin atë në shorte’’, ka thënë për fund Challandes.