Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Caktohet data e zgjedhjeve studentore në UP

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Universitetit të Prishtinës pas një koordinimi me organizatat studentore, më 08.03.2024, ka caktuar datën se kur do të mbahen zgjedhjet studentore.

Këto zgjedhje do të mbahen më 03.04.2024 dhe në formë elektronike. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryesuesi i KQZ UP, Florent Muqaj.

“Po sipas rregullores dhe koordinimit që kishim sot me organizatat studentore, data e zgjedhjeve studentore është caktuar më 03.04.2024. Zgjedhjet do mbahen online. Të shtunën (09.03.2024) KQZ UP do e dërgoj dinamikën zgjedhore tek organizatat, sipas afateve të rregullorës, bashkë me një letër informuese për procesin zgjedhor” – është përgjigjur Muqaj.

Muqaj ka deklaruar po ashtu se është emëruar kryesues i KQZ UP në mbledhjen e Këshillit Drejtues të UP, më 07.03.2024.

Zgjedhjet e studentëve shpallen nga Këshilli Drejtues i UP-së.

Sipas rregullores së UP-së, interesat e studentëve përfaqësohen në Universitet përmes dy organeve qeverisëse – Paralmentit të Studentëve (në nivel të UP-së) dhe Këshillit të studentëve (në nivel të fakulteteve).

Parlamenti i Studentëve konsiderohet organi më i lartë i përfaqësimit të studentëve, pasi merr vendime për çështje të studentëve në nivel të UP-së.

Kurse, këshillat e studentëve janë organe të përqafësimit të studentëve në fakultete.

Me këtë rast, organizatat studentore kanë të drejtë të propozojnë anëtarët për Parlamentin e Studentëve dhe këshillat e studentëve të fakulteteve në bazë të rezultateve të zgjedhjeve dhe sipas mandateve të fituara që certifikohe nga KQZ UP.

Mandati i anëtarëve të Palamentit të Studentëve dhe Këshillit të Studentëve të Fakultetit zgjat dy vjet.

Mirëpo, në rregullore thuhet se studentët të cilët kanë përsëritur vite të studimeve nuk kanë të drejtë të kandidohen apo zgjedhen në organet përqafësuese të studentëve.

Gjithashtu, studentët e nivelit bachelor të cilët kanë notën mesatare më të ulët se 7.5 nuk kanë të drejtë të kandidohen për t’u zgjedhur në organet përfaqësuese të studentëve.

Sa i përket kufizimeve në procesin zgjedhor, në rregulloren e UP-së theksohet se asnjë student nuk mund t’i përfaqësojë interesat e studentëve në më shumë se një organ përfaqësues në nivel të Universitetit apo Fakultetit brenda mandatit përkatës.

Po ashtu, asnjë student nuk ka të drejtë që emri i tij të jetë në më shumë se një listë të kandidatëve në nivel Universiteti apo Fakulteti përkatës.

Ndërkaq, organizatat studentore që pretendojnë të marrin pjesë në zgjedhje studentore duhet të jenë të regjistruara në mënyrë të rregullt si “shoqatë”, “asociacion” në Ministrinë përkatëse të Administratës Publike.

Ndërsa, themelimi i organizatave të reja duhet të regjistrohen më së largu 20 ditë para datës së votimit në zgjedhjet e shpallura.

Zgjedhjet e fundit studentore janë mbajtur më 10.06.2022, të cilat ishin pëcjellur me telashe teknike, ku UP kishte njoftuar se sistemi i E-Votimit ishte sulmuar gjatë kohës së cilës studentët po shfrytëzonin të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.