Ilustrim
Britania thotë se Rusia shënjestroi me raketa një anije mallrash në Detin e Zi
Ushtria e Rusisë ka shënjestruar një anije civile të mallrave në Detin e Zi me “disa raketa”. Kjo ngjarje ka ndodhur muajin e kaluar, por forcat ukrainase kanë arritur të pengojnë raketat që të godasin anijen, tha Britania më 11 shtator, duke u thirrur në informacione të intelegjencës.
Një anije e flotës ruse të Detit të Zi gjuajti raketa, përfshirë edhe dy raketa lundruese të llojit Kalibr. Raketat u hodhën drejt portit jugor ukrainas të Odesës më 24 gusht, tha Qeveria britanike.
Informacionet e deklasifikuara të intelegjencës zbuluan se caku i synuar ishte një anije e regjistruar në Liberi, që po kalonte në ujërat e Detit të Zi, tha Zyra për Punë të Jashtme e Qeverisë britanike.
Në njoftim u tha se mbrojtja ajrore ukrainase arriti të zmbrapste sulmin ndaj anijes civile dhe asnjëra nga raketat ruse nuk arriti të godiste cakun.
“Pavarësisht dështimit, ky rast qartësisht tregon për përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të ngufatur ekonominë e Ukrainës”, u tha në njoftimin e Qeverisë britanike.
Mbretëria e Bashkuar akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se “po shpërfill jetën e civilëve” dhe po tenton “të shndërrojë ushqimin në armë dhe të pengojë tregtinë në kurriz të pjesës tjetër të botës”.
Deti i Zi po bëhet gjithnjë e më i kontestueshëm pasi Rusia në korrik u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, që mundësonte eksportin e sigurt të drithërave ukrainase dhe kalimin e anijeve civile.
Që atëherë, Moska vazhdimisht ka sulmuar infrastrukturën në portet e Ukrainës. Kievi ka thënë se sulmet janë një përpjekje cinike për të dëmtuar eksportet e tij, por po ashtu po minojnë sigurinë botërore ushqimore./REL