Human liver

Britani, rritje e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet e mëlçisë

Vdekjet e shkaktuara nga sëmundjet e mëlçisë janë rritur me 400 për qind që nga viti 1970 në Britani.

Një nga mënyrat e trajtimit të sëmundjeve të mëlçisë është operacioni për transplantimin e tyre.

Por mjekët po u bëjnë thirrje njerëzve që të kujdesen më shumë për mëlçinë për të shmangur nevojën e këtij operacioni.


Pacienti Ian Wheadon ka nevojë urgjente për një operacion për shpëtimin e jetës. Tre vjet më parë mjekët i thanë atij se pirja e alkoolit ia kishte dëmtuar rëndë mëlçinë. Zgjidhja e vetme ishte transplantimi i këtij organi. Ai u operua në Spitalin Royal Free në Londër.

“Operacioni është i ndërlikuar, dhe kjo paraqet një shkallë rreziku për jetën e tij. Ai ka rreth 10 për qind rrezik të vdesë nga komplikime të ndryshme gjatë rikuperimit. Dhe, sigurisht që ka shumë rrezik për komplikime të mëdha në një operacion si ky”, thotë Dr Dinesh Sharma, një konsulent për transplantin e mëlçisë.

Shoqata Evropiane për Studimin e Mëlçisë po përpiqet ta kthejë vëmendjen tek rritja e madhe e sëmundjeve të mëlçisë. Në Britani, vdekjet e shkaktuara nga sëmundjet e mëlçisë janë rritur me 400 për qind që nga viti 1970. Më shumë se 40 njerëz në ditë vdesin nga këto sëmundje.

Alkooli është një nga shkaktarët kryesor të sëmundjeve të mëlçisë, por ka edhe faktorë të tjerë rreziku. Një ndër katër njerëz në mbarë botën preken nga sëmundjet e mëlçisë, të shkaktuara nga mbipesha dhe dieta e varfër.

Në fillim të këtij viti, kuzhinieri i famshëm Jamie Oliver protestoi kundër vonesave në miratimin e projektligjit për të frenuar ushqimet e dëmshme për shëndetin. Ekspertët thonë se qeveria e Britanisë duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur shëndetin e popullatës.

“Ne kemi nevojë për ndërgjegjësim, por derisa të arrijmë në këtë pikë, ndërhyrja e qeverisë është kyçe. Në Skoci, pas miratimit të një takse për alkoolin, vdekjet dhe shtrimet në spital të shkaktuara nga alkooli u reduktuan shumë në krahasim me Anglinë, ku niveli i tyre ishte i njëjtë ose u rrit. Përveç kësaj, ne duhet të ndalojmë shfaqjen në televizion të reklamave të ushqimeve të dëmshme. Ne duhet të shkurajojmë njerëzit që konsumojnë pije me nivel të lartë sheqeri”, thotë Dr. Emmanouil Tsochatzis, konsulent për hepatitin.

Disa aktivistë po përpiqen ta përcjellin këtë mesazh tek të rinjtë. Dr Kosh Agarwal, një mjek transplantesh në Institutin e Studimeve të Mëlçisë, vizitoi një shkollë fillore në Londër për t’u treguar nxënësve se si të kujdesen për shëndetin e mëlçisë.

Nëntëdhjetë për qind e sëmundjeve të mëlçisë janë të parandalueshme, kështu që kujdesi për organin tani mund t’i mbajë këta fëmijë jashtë listave të transplantit kur ata do të arrijnë moshën madhore.

“Transplanti i mëlçisë është një mënyrë me kosto të lartë e trajtimit të sëmundjes të mëlçisë”, thotë Dr. Agarwal.

Këta 10 dhe 11 vjeçarë po mësojnë për një organ që nuk është shpesh në qendër të vëmendjes gjatë shkollimit të tyre.

“Mësova se mëlçia është organi më i rëndësishëm në trup dhe se nëse mëlçia dëmtohet, shumë pjesë të tjera të trupit nuk do të funksiononin”, thotë një nga nxënëset.

Vetëm një javë pas operacionit të tij, Ian Wheadon thotë se po ndihet “jashtëzakonisht mirë”. Para diagnozës së tij, ai nuk e kuptoi se kishte ndonjë problem me mëlçinë e tij.

“Nuk u ndjeva i sëmurë. Nuk mendoja se alkooli kishte një ndikim të madh negativ në shëndetin tim. Thjesht mendoja se po pija shumë alkool”, thotë ai.

Zoti Wheadon tani ka një shans të dytë në jetë. Por transplanti është zgjidhja e fundit, mjekët preferojnë që njerëzit të kujdesen më mirë për mëlçinë, për të shmangur nevojën e një operacion kompleks për të shpëtuar jetë./VOA