Si po shkakton paqëndrueshmëri globale lufta e Putinit?

Kur dy elefantë kacafyten, është bari ai që e pëson, thotë një proverb. Por çfarë ndodh kur një ari i madh sulmon një krijesë më të vogël dhe përfundon më keq? Thëniet tradicionale ofrojnë pak udhëzime. Megjithatë, kjo është një pyetje esenciale për fuqitë e mesme në vitin 2023. Humbja që po e pëson Vlladimir Putini nga Ukraina po ndryshon shumë kalkulime gjeopolitike.

Nëse Putini humbet, disa vende që i frikësohen Rusisë, të tilla sikurse shtetet baltike, do t’i frikësohen më pak asaj. Të tjerat do të shqetësohen se një Rusi e mposhtur mund të jetë edhe më pak e parashikueshme. Putini nuk e e ka kërcënuar drejtpërdrejt Kazakistanin, vend ky që, ashtu sikurse Ukraina, ka një kufi të gjatë me Rusinë dhe një pakicë të madhe rusisht-folëse. Mirëpo ekspertët nacionalistë rusë e nxisin Putinin që ta copëtojë edhe Kazakistanin, duke ia rrëmbyer pak tokë për t’i “mbrojtur” rusët etnikë nga persekutimi imagjinar. Gënjeshtrat e tyre për Kazakistanin kanë një ngjashmëri të frikshme me ato që thonë për Ukrainën: se ajo ka laboratorë bioluftarë afër kufirit rus, për shembull, dhe se po planifikon ta ndalojë mësimin në gjuhën ruse në shkolla. Sido që të përfundojë lufta në Ukrainë, kazakët do të kenë arsye të ndjehen nervozë.

Pushtimi rus i Ukrainës na thotë se asnjë vend që ka qenë ndonjëherë i sunduar nga Moska nuk mund të ndihet i sigurt. Ata që mund të krijojnë lidhje më të ngushta me NATO-n do ta bëjnë këtë: Gjeorgjia dhe Moldavia janë të prirura për një gjë të tillë. Ato vende që nuk mund të presin realisht ndihmë nga NATO, të tilla si Kazakistani, Kirgistani dhe Taxhikistani, do të kërkojnë lidhje më të thella me Kinën. Nëse ka hekurudha dhe fabrika kineze në territorin e tyre, supozojnë ata, Rusia do të ketë më pak gjasa t’i sulmojë ato. Të vetmet regjime që ka të ngjarë të afrohen me Rusinë në vitin 2023 do të jenë fqinjët e saj, veçanërisht Irani, i cili ka nevojë për një partner tregtar miqësor dhe një mik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Regjimet që varen nga mbështetja ruse do të bëhen më nervoze. Sundimtari despotik i Bjellorusisë, Alexander Llukashenko, është ngjitur në pushtet kryesisht falë mbështetjes së Putinit. Në këmbim, ai lejoi që territori bjellorus të përdorej si pikënisje për sulmin ushtarak rus në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës, i cili dështoi në mënyrë të trishtë. Lukashenko është i etur që të mos zhytet më thellë në luftë, e cila është jashtëzakonisht e papëlqyeshme për bjellorusët dhe e intensifikon përbuzjen që ata ndjejnë për presidentin e tyre manipulues të zgjedhjeve. Por Putini do të vazhdojë ta nxisë atë edhe më tej.

Në Afrikë, grupi mercenar Wagner, i udhëhequr nga një mik i Putinit, e mbështet qeveritë autokratike në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Mali dhe mbështet një komandant lufte në Libi. Këto operacione ndoshta janë të vetëfinancuara përmes marrëveshjeve të errëta të mineraleve. Por disa nga banditët e Wagner-it janë ftuar të luftojnë në Ukrainë. Nëse operacionet e saj afrikane humbasin ndonjëherë mbështetjen e heshtur të shtetit rus, ai do të luftojë për t’i mbajtur klientët e tij në pushtet.

Prodhuesit e energjisë do ta shohin fuqinë e tyre diplomatike të rritur për aq kohë sa lufta i prish tregjet e energjisë. Arabia Saudite do të ndiejë pak presion real për t’i përmirësuar të dhënat e saj të të drejtave të njeriut ose për ta diversifikuar ekonominë e saj. Furnizuesit e alternativave ndaj gazit rus do të lulëzojnë. Evropa po derdh para për Katarin, një eksportues i madh i gazit natyror të lëngshëm, LNG. Egjipti, i cili dikur grindej me Katarin për mbështetjen e tij për islamikët, tani është qetësuar në raport me të me shpresën e mbështetjes financiare.

Gurgullimat politike nga çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë do të vazhdojnë

Gurgullimet politike nga çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë do të vazhdojnë edhe më tej. Këto çmime tashmë kanë kontribuar në protesta dhe trazira në shumë vende, dhe në përmbysjen e presidentit të Sri Lankës. Edhe nëse çmimet e ushqimeve zbuten disi në vitin 2023, pritet të ndodhin trazira në vende të tilla si Pakistani dhe Tunizia, ku njerëzit i fajësojnë qeveritë jopopullore për pjatat bosh. Problemet janë edhe më të mundshme në vendet ku politikat e dobëta ekonomike e kanë përkeqësuar dëmin dhe zgjedhjet e vështira janë planifikuar për në vitin 2023, të tilla si Nigeria dhe Turqia.

Turqia është një rast i pazakontë. Diplomatikisht, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, shpreson të përfitojë nga lufta në Ukrainë, pavarësisht se si do të zhvillohet. Nëse Putini humb dhe Rusia dobësohet seriozisht, mund të hapet një vakum pushteti në vendet për të cilat Turqia interesohet, të tilla si Siria dhe Kaukazi jugor. Nëse mbështetja ruse për Armeninë lëkundet, Erdogan do ta intensifikojë mbështetjen e tij për Azerbajxhanin, i cili ka luftuar me Armeninë për territor.

Nëse lufta në Ukrainë tejzgjatet, Erdogan do të vazhdojë të luajë me të dyja palët. Ai do të presë shpërblime nga Moska, siç janë gazi i lirë, për mirëpritjen e parave dhe turistëve rusë. Ai gjithashtu do t’i shesë më shumë armë Ukrainës dhe do të kërkojë kredi nga Perëndimi për ndalimin e hyrjes së anijeve luftarake ruse në Detin e Zi. Dhe nëse Erdogan i humb zgjedhjet në qershor, pasardhësi i tij ndoshta do të ketë një qasje të ngjashme me politikën e jashtme.

Në përgjithësi, poshtërimi i Putinit në Ukrainë do t’i bëjë autokratët kudo që janë të kujdesshëm për fillimin e luftërave pushtuese – dhe dyfish nëse humbja rezulton me rënien e tij. Po aq e rëndësishme, është pra, që mbështetësit e Ukrainës ta dyfishojnë mbështetjen e tyre. Agresioni nuk duhet të triumfojë dhe duhet parë se nuk triumfon. Bota do të jetë më paqësore në planin afatgjatë nëse Putini mposhtet./The Economist