Foto: screenshot

SHBA e paralajmëroi Raiffeisen Bankën se qasja e saj në sistemin e dollarit mund të frenohet për shkak të marrëdhënieve me Rusinë

Zyra qendrore e Raiffeisen Bank International (RBI) u paralajmërua me shkrim nga Thesari i Shteteve të Bashkuara se qasja e saj në sistemin financiar të SHBA-së mund të frenohet për shkak të marrëdhënieve me Rusinë, raporton Reuters.

Duke cituar një person që ka parë korrespondencën, agjencia e lajmeve raporton se më 6 maj, Zëvendëssekretari i Thesarit, Wally Adeyemo, i dërgoi një letër Raiffeisen Bank International, duke i shprehur shqetësimin për praninë e saj  në Rusi, si dhe një marrëveshje prej 1.5 miliard dollarësh me një manjat rus të sanksionuar, të cilin banka e ka hequr që atëherë.

Sipas Reuters, ndërsa marrëveshja e lidhur me Oleg Deripaskan u hodh poshtë nga Raiffeisen disa ditë pas mbërritjes së letrës, burimi tha se shqetësimet e Thesarit të SHBA mbi biznesin e bankës austriake në Rusi ende mbeten.

Ky paralajmërimi është më i forti deri më tani për bankën më të madhe perëndimore në Rusi pas presionit prej muajsh nga Uashingtoni, i cili po shqyrton biznesin e Raiffeissen Bank International në vend për më shumë se një vit.

Ai nënvizon zhgënjimin e thellë në Uashington me huadhënësin, pavarësisht vendimit të tij të fundit për të braktisur një marrëveshje që i kishte përkeqësuar ato tensione.

Ndërsa shumë qeveri dhe korporata perëndimore kanë reduktuar rrënjësisht lidhjet me Moskën që kur Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën mbi dy vjet më parë, Austria mbetet e lidhur me Rusinë përmes tubacioneve kritike të gazit, me Vjenën që ende shërben si një qendër për paratë e gatshme nga Rusia dhe fqinjët e saj ish-sovjetikë.