SHBA: Alabama do ta testojë metodën e re të ekzekutimit me vdekje përmes gazit azotik  

Shteti i Alabama-s në SHBA do ta ekzekutojë Kenneth Eugene Smith për vrasjen e një gruaje në fund të viteve 1980. Fillimisht, përpjekja e ekzekutimit të planifikuar me një injeksion vdekjeprurës në nëntor të vitit 2022, pati dështuar për shkak të vështirësive në hyrjen në venën e tij. 

Tani, Alabama planifikon të përdorë gaz azot, një metodë që nuk është përdorur asnjëherë më parë në Shtetet e Bashkuara, për ta kryer ekzekutimin e Smith. 

Kjo metodë përfshin vendosjen e një maske hermetike në fytyrën e tij dhe privimin e tij nga oksigjeni derisa të humbasë vetëdijen dhe të vdesë. Pasiguria rreth kësaj qasjeje ka ngritur shqetësime në mesin e aktivistëve dhe ekspertëve.

Kërkimi për metoda alternative të ekzekutimit është intensifikuar për shkak të refuzimit të kompanive farmaceutike për të ofruar barna me injeksion vdekjeprurës, duke çuar në skadimin e stoqeve dhe ndalimin e eksportit të tyre nga Bashkimi Evropian. Shkalla e dështimit të injektimit vdekjeprurës, së bashku me sfidat ligjore dhe logjistike, i ka shtyrë shtetet amerikane, të tilla si Alabama të eksplorojnë opsione të reja. Pavarësisht kritikave dhe paralajmërimeve nga aktivistët dhe ekspertët, Alabama vazhdon me planin e saj për ta ekzekutuar Smith duke përdorur gaz azot.

Rasti i Smith ka tërhequr vëmendjen nga avokatët e të drejtave të njeriut, të cilët argumentojnë se ekzekutimi i tij me asfiksi gazi mund të përbëjë torturë ose trajtim mizor, çnjerëzor ose poshtërues. Vetë Smith është lutur për mëshirë, duke e përshkruar gjendjen e tij të përkeqësuar mendore dhe fizike në pritje të ekzekutimit.

Ekzekutimi është planifikuar të bëhet mes debateve të vazhdueshme rreth moralit dhe efikasitetit të dënimit me vdekje. Pavarësisht këtyre shqetësimeve, Alabama mbetet e përkushtuar për ta kryer ekzekutimin e Smith, duke shënuar një tjetër kapitull në historinë e diskutueshme të dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara./El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala