Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian , Josep Borrell - Foto: Facebook

Borrell: Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë të kthyer kah Ohri

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se sot të gjithë sytë janë drejtuar kah qyteti i Ohrit në Maqedoninë e Veriut, ku pritet të zhvillohet takimi mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga BE.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell ka thënë se në takime do të diskutojnë për aneksin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian, i njohur si plani franko-gjerman.

“Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë të kthyer kah Ohri. Pas një rrugëtimi diplomatik midis Beogradit dhe Prishtinës, do të diskutojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti Aneksin e Zbatimit – një pjesë integrale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”- ka shkruar Borrell.

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut sot pritet të mbahen takimet e radhës në kuadër dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti kafen e mëngjesit e piu me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin e ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani.

Ndërsa para takimit me presidentin Stevo Pendarovski, Kurti ka tha se është i vëmendshëm dhe do të bëjë më të mirën për Republikën e Kosovës.

“Përveç se jam optimist, kam ardhur me vullnet të mirë, dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur me herët ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshje. Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur e serioz, që duhet të rezultojë me marrëveshje, marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar. Pra nuk kam ardhur për bisedime për bisedime por për bisedime për marrëveshje”-, tha Kurti.

Kurti nga Ohri: Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime por për bisedime për marrëveshje