Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti nga Ohri: Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime por për bisedime për marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar nga qyteti i Ohrit para fillimit të takimeve në kundër të dialogut Kosovë – Serbi. Kurti ka tha se është i vëmendshëm dhe do të bëjë më të mirën për Republikën e Kosovës.

Ai tutje tha se ka shkuar në Ohër për bisedime për marrëveshje.

“Përveç se jam optimist, kam ardhur me vullnet të mirë, dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur me herët ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshje. Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur e serioz, që duhet të rezultojë me marrëveshje, marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar. Pra nuk kam ardhur për bisedime për bisedime por për bisedime për marrëveshje”- është shprehur Kurti.

Pas kafes së mëngjesit me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Kurti ka njoftuar se është takuar edhe me emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar.

Ndërsa, ka thënë se do të takohet edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, para takimeve bilaterale me Borrell dhe Lajçak që i paraprijnë takimit trilateral.

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut sot pritet të mbahen takimet e radhës në kuadër dialogut Kosovë-Serbi.

Sot është paraparë të mbahet edhe takimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Para takimit Kurti-Vuçiq që do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, pritet të ketë takime të ndara.

Duke filluar nga ora 10:30, sipas njoftimit të Bashkimit Evropian, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Koha e takimit trilateral ende nuk dihet, ndërsa tema pritet të jetë aneksi për zbatimin e planit të Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman.