Fredi Beleri, gjatë një seance gjyqësore/ Foto: VOA

Beleri zgjidhet eurodeputet i Greqisë, ndërsa pret në burg vendimin e Apelit në Shqipëri

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri është në mesin e fituesve nga lista e kandidatëve për eurodeputet, të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Në përfundim të votimeve të së dielës në Greqi për Parlamentin Europian, ai është renditur i katërti, mes 7 emrave që do të përfaqësojnë partinë e kryeministrit grek. Kjo është hera e dytë që Beleri fiton zgjedhje, duke qenë në gjendje arresti.

Beleri ndodhet në burg në Shqipëri, pasi u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet për blerje votash.

Ai ishte kandidati i opozitës në Himarë, dhe doli fitues me një diferencë të ngushtë votash. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e ka dënuar atë me dy vjet heqje lirie.

Beleri, i cili ka hedhur poshtë akuzat, e ankimoi vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Procesi ndaj tij, është shtyrë dy herë për shkak të mungesës së avokatëve të tij, një lëvizje e cila duket se kërkonte të shmangte një vendim të formës së prerë, para zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Në një reagim pas rezultatit, Fredi Beleri tha përmes një mesazhi nga burgu i Fierit se ”lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes europiane”.

Legjislacioni shqiptar parashikon se një kryetar bashkie nuk mund të mbajë funksione të tjera dhe nëse Fredi Beleri shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme e Apelit ai duhet të zgjedhë mes postit të eurodeputetit apo kryetarit të Bashkisë së Himarës.

Por nëse dhe Apeli do të konfirmojë dënimin e tij, atëherë ai praktikisht humbet mundësinë për të drejtuar Bashkinë e Himarës, ku do të duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme.

Kostituimi i Belerit si eurodeputet do t’i nënshtrohet rregullave të Bashkimit Europian. Sipas rregullores së Parlamentit Europian përpara se të mblidhet seanca e parë e Parlamentit kryhet verifikimi i eurodeputetëve të rinj.

Rregullorja e Parlamentit Europian, përcakton se pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlamentin Evropian dhe Presidenti, nga ana tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për të shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.

Beleri bën dallim nga eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Europian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian.

Komisioni i Çështjeve Ligjore të Parlamentit Europian kontrollon kredencialet e reja të deputetëve të Parlamentit Evropian duke marrë vendime bazuar në informacionin që ofrojnë shtetet anëtare./VOA