BE konfirmon se kanë marrë qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë rreth propozimit franko-gjerman

Bashkimi Evropian ka pranuar përgjigjet e Kosovës dhe Serbisë rreth propozimit franko-gjerman, për marrëveshje mes të dyja paleve, drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Ai ka thënë se BE tashmë është duke i shqyrtuar qëndrimet e të dyja palëve lidhur me këtë propozim.

“BE-ja, e mbështetur nga Franca dhe Gjermania, u ka paraqitur një propozim palëve për të bërë përparim konkret dhe të pakthyeshëm në rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve të tyre. Tashmë kemi marrë përgjigjet nga të dyja palët dhe jemi duke i shqyrtuar”- ka thënë Stano për KALLXO.com.

Ai tutje ka shtuar se duhet të tejkalohet gjendja e përhershme të krizës dhe të ulin tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se BE është mirënjohëse për mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë një hap historik përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është thelbësore për ta për të avancuar në rrugën e tyre evropiane”-thuhet tutje në përgjigjen e zyrtarit të BE-së për KALLXO.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën në një konferencë për media ka thënë se ai nuk e ka refuzuar planin franko-gjerman por ka dhënë vërejtjet e tij.

Kurti ka shtuar se në Beogradi i ka thënë “jo”, këtij propozimi.

“Pra ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtët e mia por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozimin. Por në Beograd i thanë jo, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së tyre”- theksoi Kurti.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e BE-së detaje lidhur me qëndrimin e Serbisë për propozimin franko-gjerman, por sipas BE-së kjo përgjigje u takon autoriteteve në Serbi.

Lidhur me qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë për planin franko-gjerman, KALLXO.com ka kërkuar detaje edhe nga Presidenca franceze dhe Kancelaria gjermane, por deri në publikim e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Propozimi franko – gjerman është përmendur më 8 tetor, nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se ky propozim është i papranueshëm për palën serbe.

“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”- ka thënë Vuçiq.

Ndërkohë, i dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili qëndroi në Kosovë më 19 tetor 2022, javën e kaluar, tha se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se bëhet fjalë për  “çështje javësh dhe jo vitesh”.

Escobar i ka dhënë mbështetje propozimit franko-gjerman të marrëveshjes duke theksuar se ky propozim duhet të merret seriozisht.

Gjithçka rreth propozimit franko-gjerman