BE: Deri në një marrëveshje, vazhdon regjimi i letrave ngjitëse për targat

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se përderisa dje nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojë regjimi i letrave ngjitëse në targat e automjeteve.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Stano ka shprehur keqardhje për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje dje.

“BE-ja shpreh keqardhjen që dje nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave mes dy kryenegociatorëve. Duke qenë se nuk ka marrëveshje për një zgjidhje të përhershme, regjimi i letrave ngjitëse vazhdon të zbatohet”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i BE-së i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që përmbahen nga veprimet e njëanshme.

“BE-ja dhe Komuniteti Ndërkombëtar presin që të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të rrezikojë sigurinë në terren dhe të komplikojë përparimin e mëtejshëm në Dialog”, ka thënë ai.

Tutje për KALLXO.com Stano ka thënë se pret nga vendet që të takohen ditëve në vijim.

“BE-ja, si lehtësues, fton kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë që të takohen sërish në ditët në vijim në Bruksel për të rënë dakord për rrugën përpara për të gjetur një marrëveshje”, ka theksuar ai.

Dje ka qenë afati i fundit për një arritje të marrëveshjes së përhershme mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Grupet e negociatorëve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.

Bislimi: Takimi trepalësh është shtyrë për shkak se Petkoviq ka kërkuar që të diskutohet Asociacioni