Foto: RTV 21

Bislimi: Takimi trepalësh është shtyrë për shkak se Petkoviq ka kërkuar që të diskutohet Asociacioni

Zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak, ka quajtur “budallallëqe” deklaratat e drejtori të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq se takimet nuk janë mbajtur deri më sot me refuzimin e palës kosovare.

Bislimi ka deklaruar se edhe takimi i djeshëm është organizuar me kërkesën e Kosovës ndërsa Petkoviq është demantuar nga fasilicatori.

Sipas Bislimit, takimi nuk është mbajtur deri më tash për shkak se Petkoviq ka kërkuar që temë diskutimi të jetë asociacioni.

“Duhet ta saqrojmë një gjë. Z. Petkoviq ka deklaruar se takimet nuk kane ndodhur për shkak se unë nuk kam treguar gatishmëri të ndodhin. Sot ju demantuar Petkoviqit nga fasilicatori sepse unë në fakt kam kërkuar që disa tema të trajtohen në forumin trilateral por ka qenë Petkoviq i cili ka thënë se përderisa nuk diskutohet asociacioni nuk do të ketë takim trilateral. Edhe sot takimi trilateral ka ndodhur me kërkesën time në mënyrë që të informohemi për atë se çka është diskutuar në takime dypalëshe në mënyrë që të interpretimi të mos jetë i ndryshëm”, ka thënë Bislimi.

Besnik Bislimi: Nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave

Kosova miratoi më 19 prill të vitit 2013 Marrëveshjen e parë ndërkombëtare të parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, e cila është ratifikuar në formën e ligjit nga Kuvendi i Kosovës. Themelimi i Asociacionit, që buron nga kjo marrëveshje, konsiderohet detyrim ligjor dhe me pasoja juridike.

Grupet e negociuesve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.