Foto MAPL

Banorët e Bërnicës ia tregojnë hallet ministrit Ivan Todosijevic

Pas shkrimeve në media për jetën e Serbëve të mbetur në Bërnicën e Epërme, Ministri në dorëheqje i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijevic ka vendosur që edhe vetë ta viziton këtë fshat dhe të njoftohet nga afër me banorët dhe problemet e tyre, njofton zyra për media e Ministrisë.

“Para vizitës në Bërnicën e Epërme, Todosijevic vizitoi Bërnicën e Poshtme me ç’rast gjatë bisedës me banorët e këtij fshati, papunësia u theksua si një problem shumë i madh. Banorët e Bërnicës së Poshtme theksuan se kanë një bashkëpunim të mirë me Komunën e Prishtinës dhe njoftuan Ministrin me atë çfarë është bërë në disa vitet e fundit dhe me atë se çfarë duhet bërë në mënyrë që jeta në këtë fshat të jetë më e mirë. Todosijevic gjithashtu vizitoi kishën, shkollën fillore si dhe çerdhen”, ka njoftuar Ministria.

Më tej në njoftim thuhet se pas Bërnicës së Poshtme, Ministri ka vizituar edhe Bërnicën e Epërme, ku në oborrin e kishës ka biseduar me banorët lidhur me problemet e tyre të përditshme.

“Banorët i shprehën mirënjohjen e tyre Ministrit për vizitën, sepse gjerë më sot përshtypja e tyre ishte se janë harruar nga të gjithë, dhe gjithashtu u shprehën të brengosur lidhur me ikjen e përditshme të të rinjve nga fshati, duke theksuar se papunësia është problemi më i madh dhe shkaku i braktisjes së vendlindjes, kështu që edhe shkolla e cila ekziston në këtë fshat, tash sa vite është mbyllur, sepse nuk ka asnjë nxënës, kanë mbetur gjithsej disa të rinj”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ministri Todosijevic sipas njoftimit u ka premtuar banorëve të dy fshatrave se, në përputhje me mandatin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në bashkërendim me ministritë e linjës dhe Komunën e Prishtinës, do të bëjnë çmos që t’i zgjidhin problemet madhore të Bërnicës së Poshtme dhe asaj të Epërme.