COVID-19

Banka Botërore: Sistemet shëndetësore të Ballkanit Perëndimor përballeshin me sfida edhe para shpërthimit të COVID-19

Një raport i Bankës Botërore i publikuar  në fund të muajit maj për ndikimin e COVID-19 në sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor thuhet se Ballkani Perëndimor ka qëndruar mirë me menaxhimin e COVID-19, ndërsa sistemet shëndetësore janë përballur me probleme edhe para pandemisë së coronavirusit.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, në mungesë të kundërpërgjigjeve nga ana e qeverive, më shumë se 400.000 banorë mund të bien në varfëri në këtë rajon dhe shtresa e mesme mund të tkurret ndjeshëm. Shumë prej atyre të cilët mund të varfërohen aktualisht nuk janë duke përfituar nga mbrojtja sociale, dhe të rrezikuar janë sidomos punonjësit infomal të cilët nuk janë të mbuluar nga sigurimi i papunësisë dhe nuk marrin ndonjë lloj mbështetjeje tjetër.

“Në krahasim me mesataren e BE-së, niveli i ulët dhe jo efikas i shpenzimeve publike për person për shëndetësinë përpara krizës e bën këtë rajon veçanërisht të cenueshëm nga kjo krizë dhe nga kriza të tjera të shëndetit publik në të ardhmen. Niveli i lartë i ndotjes së ajrit në disa qytete të mëdha dhe numri i rritur i sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes të cilat e shoqërojnë këtë ndotje e rëndojnë më tej këtë cenueshmëri, sidomos nëse përsëritet një shpërthim epidemie prapë dimrin e ardhshëm”, thuhet në raport.

Në raportin e Bankës Botërore thuhet që përpara shpërthimit të COVID-19, sistemet shëndetësore të Ballkanit Perëndimor përballeshin me vështirësi kritike në financim dhe në realizim të shërbimeve. Shpenzimet për frymë për sistemet shëndetësore janë ndjeshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së dhe mënyra me të cilën shpenzohen fondet e pakta është jo efikase ose jo e harmonizuar me profilin e sëmundshmërisë në rajon. Kjo e bën këtë rajon të cenueshëm nga shpërthime të ardhshme epidemish, sidomos duke pasur parasysh se pacientët me sëmundje jo ngjitëse janë më të cenueshëm.

Sipas Bankës Botërore, në të ardhmen  rekomandohet që qeveritë e Ballkanit Perëndimor do të duhet të investojnë në mbylljen e boshllëqeve sa i takon gatishmërisë për pandemitë, të cilat janë identifikuar nëpërmjet vlerësimeve ndërkombëtare. Do të duhet edhe ta mbështetin personelin mjekësor me pajisje dhe formim për trajtimin e pacientëve infektivë, si edhe të mbrojnë dhe fuqizojnë zinxhirët e furnizimit për barna, pajisje dhe materiale thelbësore.

Sipas BB-së, prioritet i lartë është që të pajiset personeli shëndetësor me pajisje të mbrojtjes personale dhe të trajnohen për trajtimin e pacientëve të infektuar e për rrjedhojë, infektues.

Gjithashtu është rekomanduar që të mbahet shërbimi i sigurt (pa COVID) i urgjencës në kushtet e pandemisë, të mendohet si të mbrohet dhe rishpërndahet personeli shëndetësor dhe të mbrohen dhe fuqizohen zinxhirët e furnizimit.

Kosova nuk është vlerësuar në Indeksin e Sigurisë Shëndetësore Globale 2019, ndërsa të dhënat deri më 20 maj 2020 në bazë të raporteve situacionale të OBSH-së dhe Universitetit “John Hopkins”.