Ilustrim, Foto: Facebook./Volodymyr Zelensky

Autoritet Ukrainase: Zbulohet një varr masiv në qytetin e çliruar të Izyumit

Autoritetet në Ukrainë pretendojnë se kanë në posedim dëshmi për një varr masiv në Izyum, qytetin verilindor të çliruar së fundmi nga pushtimi rus.

Udhëheqësi i policisë rajonale Volodymyr Tymoshko tha për BBC se më shumë se 400 trupa mendohet se janë varrosur atje.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i akuzuan më parë trupat ruse për krime lufte. Moska, ndërkohë, e mohon një gjë të tillë.

Nuk është ende e qartë se çfarë ndodhi me viktimat, por disa raporte kanë sugjeruar se shumë mund të kenë vdekur nga bombardimet dhe mungesa e qasjes në kujdesin shëndetësor.

Ka gjithashtu shenja se disa nga varret mund t’i përkasin ushtarëve ukrainas.

Tymoshko tha se zhvarrosjet do të fillojnë të premten për të marrë një pamje më të qartë të numrit të viktimave në qytet, i cili ishte nën pushtimin rus për më shumë se pesë muaj.

Dhe në fjalimin e tij vonë të enjten, Presidenti Zelensky tha se më shumë “informacione të qarta dhe të verifikuara” do t’u paraqiten të premten gazetarëve ukrainas dhe të huaj.

“Ne duam që bota të dijë se çfarë po ndodh në të vërtetë dhe në çfarë ka rezultuar pushtimi rus. Bucha, Mariupoli, tani, për fat të keq, Izyumi” – tha ai.

Udhëheqësi ukrainas po i referohej varreve masive të supozuara të gjetura këtë pranverë në Bucha, pranë kryeqytetit Kiev, dhe gjithashtu pranë Mariupolit – porti kryesor juglindor i Ukrainës i pushtuar tani nga trupat ruse.

Andriy Yermak, shefi i zyrës së Presidentit Zelensky, postoi një foto të varrit masiv të supozuar, duke thënë gjithashtu se priten më shumë informacion të premten.

Pjesa më e madhe e Izyum-it shtrihet në rrënoja, ndërkohë që një politikan vendas u ka thënë gazetarëve se deri në 80% e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar dhe trupat janë ende duke u zbuluar në rrënoja.

Izyumi dhe një numër qytetesh të tjera në rajonin e Kharkiv u çliruan në fillim të këtij muaji gjatë një kundërofensive të shpejtë ukrainase që dukej se kishte befasuar trupat ruse dhe i la të papërgatitur për t’i mbrojtur pozicionet e tyre.

Ukraina thotë se ka identifikuar më shumë se 21,000 krime të mundshme lufte – duke përfshirë vrasjen e civilëve dhe përdhunimin – të kryera nga trupat ruse që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt.

Hetuesit dhe gazetarët gjetën atë që dukej të ishte provë e vrasjes së qëllimshme të civilëve në Bucha dhe zona të tjera aty pranë.

Forcat ukrainase thanë se gjetën varre masive dhe prova se civilët ishin vrarë pasi u ishin lidhur këmbët dhe duart.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka dërguar tashmë një ekip hetuesish dhe ekspertësh të mjekësisë ligjore në Ukrainë për të hetuar këtë pretendim.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson e kanë akuzuar të dy Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë.

Qeveria ruse ka mohuar vazhdimisht se i ka shënjestruar civilët, duke e akuzuar Ukrainën dhe Perëndimin për fabrikim të provave./BBC