Kryeministri Albin Kurti në takim me kryetarët e komunave të Kosovës | Foto: ZKM

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ankohet Kurtit për bllokimin e investimeve kapitale në OSHP

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me kryetarët e komunave me qëllim të koordinimit ndërinstitucional mes qeverisë dhe pushtetit lokal.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) njëherish kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, në fjalimin e tij theksoi se ndër sfidat më të mëdha të komunave janë investimet kapitale dhe fakti që bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit ka qenë i pakompletuar dhe deri vonë ka bllokuar punën e komunave në shumë projekte.

Ai shtoi se kanë ofruar zgjidhje si anulim të procedurave të aktiviteteve të prokurimit që janë në konteste dhe të kthehen në ritenderim për shkak të çmimeve si dhe mundësia për rishikim të kontratave aktuale për shkak të rritjes së çmimeve.

Sipas tij, është urgjente ndërhyrja në këtë segment, pasi shumë projekte do mbesin përgjysmë.

Në takimin me Kurtin, kryetari i AKK-së, Agim Aliu tha se komunat kanë pasur nevojë për rishikim të buxheteve, por që nuk ka ndodhur.

Më tej ai ka thënë se komunat kanë insistuar të dijnë shkaqet që kanë çuar në ndërprerjen apo anulimin e projekteve të shumta dhe kanë kërkuar ndihmë për kostot që po prekin buxhetet komunale si rrjedhojë e kontratës kolektive.

Në takim u potencua edhe mungesa e barnave nga lista esenciale, përgjegjëse për furnizmin e të cilave është Ministria e Shëndetësisë.

Kryetari i AKK-së po ashtu ka theksuar se është kërkuar që të përfshihen në projektligjin për Vetëqeverisje Lokale që tashmë është proceduar në Kuvend, me gjithë kërkesën e tyre për t’u bërë pjesë në draftimin e tij.

Aliu më tej shkroi edhe për nismën e fundit, për platformën E-komunat, nga MAPL, ku sipas tij AKK nuk është përfshirë në Grupin Punues.

Nga AKK  qeverisë iu kerkua që në strategjinë për trajtimin e qenve endacakë të mbulohen me buxhet shtesë nga niveli qendror.

Më poshtë gjeni adresimin e plotë të kryetarit të AKK-së, Agim Aliu në takim me kryeministrin Albin Kurti.