Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

As 19 gjoba nuk e ndalën, Policia ia anulon lejen e vozitjes të riut nga Prizreni

As 19 shqiptime të gjobave për kundërvajtje nuk e kanë ndalur një person të lindur në vitin 2004 që të respektojë rregullat e trafikut. Për përsëritje të vazhdueshme të kundërvajtjes, Njësia e Trafikut Rajonal në Prizren ia ka anuluar të gjitha kategoritë e lejes së vozitjes.

Policia ka bërë të ditur që personit në fjalë i është anuluar leja e vozitjes me 21 pikë negative më datë 21.05.2024 gjatë një kontrolli rutinor në Prizren.

Në arsyetimin e Policisë, është vënë në pah se gjatë verifikimit është gjetur se kundërvajtësi në fjalë edhe pse e kishte të konfiskuar patentë-shoferin në bazë të ligjit, i njëjti edhe më tutje ka vazhduar të drejtonte mjetin motorik edhe pse i kishte të  shqiptuara edhe 19 (kundërvajtje) vazhdime ndalesë e përkohshme të cilat nuk i ka përfillur.

Përveç kësaj, Policia e Kosovës në Prizren ka konfiskuar mjetin motorik.

Me këtë rast, Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren, apelon vozitësit që t’i respektojnë normat dhe ligjet e trafikut rrugor, po ashtu inkurajon mediat dhe qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion të njoftojnë Stacionin më të afërm të policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected], apo në numrin e telefonit 192.

Foto: Policia e Kosovës