Arrestohet në Leposaviq një i dyshuar për krime lufte

Një person është arrestuar në Leposaviq nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në regjionin e Gjakovës gjatë viteve 1998/1999.

Sipas njoftimit për media të lëshuar nga Policia e Kosovës, sot, më 27.06.2024, “hetuesit nga Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës në bashkëpunim me agjentë nga AKI dhe të mbështetur nga njësitë policore të rendit të Mitrovicës së Veriut kanë realizuar një plan taktik me ç’rast në Leposaviq është ndaluar dhe arrestuar i dyshuari me iniciale S.L.”.

Të dyshuarit, me urdhër të organeve të drejtësisë i është bastisur shtëpia në Leposaviq, me ç’rast hetuesit kanë konfiskuar “dëshmi relevante” të cilat do të trajtohen gjatë procedurës së mëtejme hetimore.

“I dyshuari është sjell në ambientet policore për procedura të mëtejme të intervistimit” – thotë PK.

Policia ka njoftuar se hetuesit e lartcekur pas një pune hetimore disa mujore, më 20.06.2024, ndaj të dyshuarit ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.

Konsultimet e fundit me prokurorin e rastit kanë rezultuar me vlerësimin qe veprimet e mëtejme hetimore të orientohen drejt sigurimit të prezencës së të pandehurit në këtë çështje penale.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në linkun:

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.