Flamuri i Kosovës - Foto: REL/AFP

Analiza e Bugajskit: Udhëkryqet jetike të Kosovës

 

Ditë më parë, Qendra për Analiza të Politikave Europiane (CEPA) me seli në Washington të SHBA-ve publikoi analizën e Janusz Bugajskit në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.

Analiza flet kryesisht në lidhje me emërimet e muajve të fundit të emisarëve amerikanë për dialogun Kosovë-Serbi, rolin e SHBA-së dhe BE-së në këtë dialog, ndërhyrjen potenciale ruse në procesin e dialogut si dhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Sipas  analizës , Kosova tashmë ka arritur në një udhëkryq të rëndësishëm pas fitores befausese të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit, parti politike kjo e cila, gjatë gjithë fushatës elektorale, premtimet e saja i kishte të bazuara kryesisht në reformimin e institucioneve si dhe përshpejtimin e procesit drejt integrimit evropian të Kosovës. 

Kjo qendër thotë se gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, krimi dhe korrupsioni, përveç shëndetësisë dhe arsimit, ishin ndër temat kryesore, andaj qeveria e ardhshme duhet të angazhohet shumë që, jo vetëm verbalisht, por edhe praktikisht, të arrijë sukses në evitimin e keqpërdorimeve më serioze në Kosovë.

“Sloganet dhe premtimet nuk janë më levë tërheqëse për votuesit të cilët gjithnjë e më shumë ndjehen të frustruar dhe të irrituar nga mungesa e progresit ekonomik” thuhet më tej.

Sipas Bugajskit lufta kundër korrupsionit duhet të përfshijë të gjitha institucionet qeveritare dhe standarde të rrepta të përgjegjësisë dhe raportimi i pasurisë në pronësi të zyrtarëve duhet të jetë i detyrueshëm, ndërkohë që secili kontakt ndërmjet zyrtarëve të zgjedhur dhe bizneseve private duhet të jetë transparent dhe duhet t’i nënshtrohet procesit hetimor. 

Ai shton se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të jetë figura më e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, pasi ai vetë nuk ishte i përfshirë në ndonjë biznes të errët deri më tani.

Ndërkohë, emërimi i një të dërguari të ri amerikan për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po shihet si një shtysë tjetër e cila do të duhej që përfundimisht të zgjidhte një nga problemet më kontestuese në rajonin e Ballkanit.

Bugajski, thotë se formimi i shpejtë i një qeverie koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje, VV, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, do të paraqiste një sinjal të fortë të unitetit në Kosovë. 

Në të njëjtën kohë edhe emërimi i diplomatit Richard Grenell, aktualisht ambasador i SHBA-ve në Gjermani, si i deleguar special për dialogun Kosovë-Serbi, dhe duke marrë parasysh faktin se tashmë Shtëpia e Bardhë veçse e ka emëruar një emisar tjetër për Ballkanin Përëndimor, diplomatin Mathew Palmer, janë shenjë e qartë se SHBA është e vendosur që ta arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Sipas tij, megjithëse Richard Grenell është një diplomat i ri për rajonin, përvoja e tij është e mjaftueshme pasi që ai ka pasur edhe rolin e negociatorit në Kombet e Bashkuara, ndërkohë që i dërguari tjetër, Mathew Palmer, njihet si një diplomat me shumë përvojë i cili është i njohur për aftësinë e tij diplomatike që të përballet edhe me procese mjaft komplekse në Ballkan.   

Autori tutje shton se mosmarrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mund të zgjidhet plotësisht vetëm nëse Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës.

“Grenell do të jetë nën presion intensiv për gjetjen e një formule të shpejte për arritjen e një progresi të tillë. Përveç kësaj, përkundër të kaluarës së tij kontestuese si ambasador i SH.B.A. në Gjermani, Grenell do të duhet të angazhohet bashkë me përfaqësuesit e BE të cilët e kanë në dorë karrotën e cila mund të përdoret për të gjitha vendet e Ballkanit Përendimor, vende këto të cilat janë të interesuara që një ditë të bëhen anëtare të BE-së”, thotë më tej tekst-analiza e kësaj qendre.

Njëkohësisht, Prishtina duhet të bashkëpunojë afër me të dërguarit amerikanë Grenell dhe Palmer dhe të demonstrojë në këtë mënyrë gatishmërinë e saj për arritjen e një kompromisi për çështje të caktuara të tilla si suspendimi i taksës për mallrat nga Serbia ndërkohë që në anën tjetër Prishtina duhet t’i shmangë po ashtu veprimet e saja të njëanshme. 

Të emëruarit amerikanë mund të jenë të hapur për shkëmbim territoresh apo për idenë që Beogradi, në këmbim të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, ta njohë Republikën e Kosovës. Megithatë, Grenell dhe Palmer, me siguri se do të hasin në pengesa të mëdha politike marrë parasysh faktin se qeveria e re që pritet të krijohet në Prishtinë mund të humbasë pjesën më të madhe të përkrahjes publike poqëse, potencialisht, do të pranonte një lloj kompromisi ku pjesë të territorit të Kosovës do t’i jipeshin Beogradit.

Në anën tjetër, ka shumë pak gjasa që edhe qeveria e Serbisë të japë ndonjë pjesë të territorit të saj në Luginën e Preshevës, në veçanti tash kur zgjedhjet parlamentare në Serbi pritet të mbahen në pranverën e vitit 2020, thotë më tej autori i këtij teksti, Bugajski.

Bugajski beson se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishte i befasuar nga vendimi i Uashingtonit që të emërojë dy të dërguar specialë për të përshpejtuar procesin negociues të Beogradit me Prishtinën.

“Pritjet e Beogradit kanë qenë gjithmonë që Brukseli do ta vonojë marrëveshjen me Prishtinën, duke shpresuar se, megjithatë, Serbia do të mund të hynte në BE para se të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën,” thotë Bugajski duke shtuar po ashtu se “Moska zyrtare do ti bëjë kalkulimet e saj se si duhet neutralizuar apo ndërprerë këtë iniciativë të re amerikane, poqëse qëllimi i saj është anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njëkohësisht pranimi i sovranitetit shtetëror të Kosovës nga Serbia.”

Sipas tij, ekziston mundësia që edhe Kremlini ta emërojë të dërguarin e tij për Ballkanin apo të kërkojë që edhe Rusia të ketë të drejtën e një zëri të barabartë sa i përket dialogut Kosovë – Serbi në të ardhmen.

Autori e përmend faktin se marrëveshjet e vetme të suksesshme të zbatuara në rajonin e Ballkanit janë pikërisht ato marrëveshja në të cilat Moska zyrtare nuk kishte asnjë rol, përfshirë këtu  Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Prespës midis Maqedonisë Veriore dhe Greqisë në vitin 2018 për çështjen e emrit të Maqedonisë.

“Çfarëdo marrëveshje e përhershme e arritur në mes të Beogradit dhe Prishtinës duhet të bëhet pa ndërhyrjen e Kremlinit,”përfundon Bugajski.

 

Përgatiti: Nuhi Shala