Albin Kurti: Boll ma me asfalt (VIDEO)

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, duke folur për ambientin dhe ujërat e zeza që derdhen nëpër lumenjtë e Kosovës ka thënë se në shekullin 21 Kosova s’ka kanalizim, pasi që është investuar mbi 20 herë më shumë në asfalt.

“Kanalizim ka pasur edhe në perandorinë romake, e ne në shkekullin 21 nuk kemi. A e dini pse? Sepse mbi 20 herë është investuar më shumë në asfalt, në autostrada të mbyllura sesa në ujësjellës e kanalizim marrë së bashku. Mbi 300 milionë asfalt edhe granet nëpër komuna shkon në asfalt. Boll mo asfalt”, ka thënë Kurti gjatë një debati me të rinjtë e Kosovës të moderuar nga Jeta Xharra në kuadër të Kongresit të Dytë Kombëtar të të Rinjve.

Tutje Kurti ka premtuar se çdo fshat që ka mbi 200 shtëpi, do ta kenë prioritet për të ia ndërtuar kanalizimin.

“Në një numër të konsiderueshëm të fshatrave të Kosovës verës nuk mundesh me qëndru rehat për shkak të kundërmimit të ujërave të zeza që derdhen nëpër lumenjtë e atyre vendbanimeve. Mbi 200 shtëpi nëse i ka një fshat, do të ketë prioritet për të ia ndërtu kanalizimin.

Tutje Kurti ka deklaruar se ndotja do të gjobitet. Kurti ka premtuar se pas mandatit 4 vjecar të Vetëvendosjes nuk do të ketë deponi të hapura.

Në kongresin e dytë kombëtar të të rinjve kanë qenë të ftuar të gjithë kandidatët për kryeministër, mirëpo ftesën e kishin pranuar vetëm kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj.

Pjesë e Kongresit Kombëtar të të Rinjve janë mbi 20 organizata nga gjithë Kosova.