Foto: Led By Donkeys, Twitter

Aktivistët krijojnë flamurin e Ukrainës duke hedhur ngjyrë para Ambasadës ruse në Londër

Një rrugë e qytetit të Londrës është ngjyrosur sot me ngjyrat e flamurit ukrainas (kaltër e verdhë) afër Ambasadës ruse në kryeqytetin e Britanisë së Madhe.

Ky aksion është organizuar nga grupi “Led By Donkeys”, në përvjetorin e parë të agresionit rus në Ukrainë, që shënohet më 24 shkurt.

Grupi i aktivistëve kanë derdhur dhe shpërndarë disa litra ngjyrë të kaltër dhe të verdhë në këtë pjesë të qytetit, ndërsa në video shihet se automjetet që kanë lëvizur në atë pjesë e kanë shpërndarë ngjyrën përgjatë rrugës.

 

Në deklaratën e këtij grupi thuhet se ekzistenca e një flamuri masiv ukrainas në Londër do të shërbejë për t’i kujtuar presidentit rus, Vladimir Putin, se Ukraina është një shtet i pavarur.

“Nesër është përvjetori i parë i pushtimit imperialist të Putinit në Ukrainë. Ndryshe nga sa pretendojnë diktatori rus dhe apologjetët e tij, Ukraina është një shtet i pavarur dhe një popull me çdo të drejtë për vetëvendosje. Ekzistenca e një flamuri masiv ukrainas jashtë ambasadës së tij në Londër do të shërbejë për t’i kujtuar atij këtë”- thuhet në deklaratën e tyre.

“Led By Donkeys” është një grup i krijuar në dhjetor 2018 i formuar si një grup kundër Brexit, por që ka kritikuar edhe veprime të tjera të qeverisë konservatore.

Ka kaluar pothuajse një vit që kur Rusia filloi një pushtim të plotë të Ukrainës, duke sjellë shkatërrim në të gjithë vendin, me mijëra civilë ukrainas të vdekur, dhjetëra mijëra ushtarë nga të dyja palët të vrarë, miliona të zhvendosur, qytete dhe fshatra të tëra ukrainase të rrafshuara me tokë.