Foto: HRT/IMS

Aksidenti në Kroaci, Avokati i Popullit kërkon të monitorohet zbatimi i Ligjit të Punës

Institucioni i Avokati i Popullit pas aksidentit që ndodhi në Sllavonski Brod, Kroaci, u ka bërë thirrje autoriteteve kompetente të Kosovës që seriozisht të merren me monitorimin e zbatimit të ligjeve përkatëse, në veçanti të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

“Avokati i Popullit i shprehë mirënjohje autoriteteve të Republikës së Kroacisë për reagim të shpejtë dhe vënien në dispozicion të resurseve dhe kapaciteteve të saj në trajtimin e të lënduarve dhe të mbijetuarve nga ky aksident tragjik. Është koha e solidarizimit me bashkatdhetarët tanë të përfshirë në​ këtë aksident dhe me familjet e tyre”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Tutje, Avokati i Popullit thotë se në vazhdimësi ka përcjellë zbatimin e ligjeve përkatëse që kanë të bëjmë me kushtet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë, për çfarë edhe ka hapur hetime sipas detyrës zyrtare dhe se do të dalë me konstatime dhe rekomandime konkrete për autoritetet përkatëse.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë janë lënduar nga një aksident që pësoi një autobus nga Kosova në Kroaci.

Autobusi po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.