AGK dënon kërcënimin ndaj drejtorit të RTV Dukagjinit, Ermal Panduri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër kërcënimin që i është bërë drejtorit të RTV Dukagjinit, Ermal Panduri.

Panduri mbrëmë ishte kërcënuar nga një qytetar përmes rrjetit social Facebook.

“Ky djali po më kërcënon me jetë, po ma shan’ krejt familjen!  Si ky janë shumë, por të mirët janë më shumë”, ka shkruar Panduri në Facebook.

AGK-ja  ka ftuar organet kompetente që të merren me rastin dhe u ka bërë thirrje gazetarëve që kërcënimet t i raportojnë në Policinë e Kosovës.

AGK tutje ka thënë se kërcënimet e tilla janë  duke u shpeshtuar dhe se ato janë cënim i rëndë i lirisë së shprehjes.

“Kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes në rrjete sociale në drejtim të gazetarëve, janë duke u shpeshtuar dhe po bëhen çdo herë e më serioze. Për AGK-në janë të papranueshme kërcënimet dhe ofendimet që ka pranuar Panduri. Andaj, ftojmë organet kompetente që sa më parë të merren me rastin në mënyrë që kërcënuesit të dalin para drejtësisë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se kërcënimet e tilla e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kërcënohet drejtori i RTV Dukagjinit, Ermal Panduri