Foto: Ridvan Slivova/AGK

AGK dënon kërcënimet dhe linçimet ndaj gazetarit Fidan Jupolli

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar ashpër kërcënimet dhe linçimet ndaj gazetarit, të Televizionit 7, Fidan Jupolli.

AGK-ja ka njoftuar se gazetari Jupolli ka shprehur shqetësimin se është duke marrë në vazhdimësi kërcënime me likuidim ose dëbim nga Kosova ndërsa të mërkurën rastin e ka lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.

“Jupolli gjatë kohës sa ishte duke e intervistuar Ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun në ‘DPT te Fidani’, të martën, ka thënë se në adresë të tij po i shkojnë vazhdimisht kërcënime”, vijon njoftimi.

Kërcënimet e tilla, për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë tërësisht të papranueshme, e cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.

AGK-ja ka ftuar organet e drejtësisë që sa më parë të merren me këtë rast në mënyrë që kërcënuesit të dalin para drejtësisë.

AGK po ashtu u ka bërë thirrje partive politike që të distancohen nga veprimet e tilla dhe të kërkojnë prej aktivistëve të mos i kërcënojnë dhe linçojnë gazetarët.