Abdixhiku i reagon Kurtit: Çdo fyerje ndaj LDK-së është fyerje edhe ndaj neve

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, i cili vjen nga radhët e LDK-së, tha se është ndjerë i ofenduar nga pjesa e fjalimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, i cili sot në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se se mocioni i mosbesimit ndaj tij u bë nga “regjimi i vjetër”.

Abdixhiku në mbledhjen e Qeverisë për 100 ditëshin në qeverisje tha se një pjesë e fjalimit ka ofenduar LDK-në.

“Unë me ju thënë të drejtën u ndjeva i ofenduar prej pjesës së fjalimit që ofendon LDK-në dhe po besoj se siç e patë bashkë me pjesën tjetër të kabinetit, nuk u bëmë pjesë e një diskutimi të tillë sepse përderisa përfaqësojmë Qeverinë e Kosovës, përfaqësojmë çdo qytetar tanë pavarësisht bindjeve tona politike dhe ndoshta kjo është pjesë e kulturës sonë partiake”, tha ai.

Ai ka shtuar se çdo fyerje ndaj LDK-së, është e tillë edhe ndaj ministrave në detyrë që vijnë nga kjo parti.

“Pothuajse gjysma e kabinetit këtu përfaqëson një kulturë dhe një forcë politike të dhënë dhe e përfaqëson me krenari dhe përfaqësojmë Lidhjen Dermokratike të Kosovës. Prandaj çdo lavdatë ndaj punës sonë është lavdatë edhe ndaj LDK-së dhe çdo kritikë ndaj LDK-së është kritikë edhe ndaj neve, çdo fyerje ndaj LDK-së është fyerje edhe ndaj neve”, tha ai.

Edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami i ka kërkuar kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, që si ministra të LDK-së të lejohen të vazhdojnë punën përkundër përplasjeve politike që kanë pasur pas rrëzimit të Qeverisë më 25 mars me mocionin e nisur nga LDK-ja.

“Nuk mund të konsiderohemi ministra të suksesshëm nëse sipas jush i takojmë një regjimi të vjetër, na lejoni që të bëjmë punën të japim maksimumin dhe të jemi në shërbim të qytetarëve”, tha Bajrami.

Kurse, sa i përket udhëheqjes së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku tha se se puna e parë e tyre ka qenë fuzionimi  i dy ministrive të mëdha.

Abdixhiku mes tjerash ka shtuar se kanë treguar kulturë të lartë të kursimit të parasë publike, si dhe ka përmendur anulimin e tenderëve milionësh.