Abdixhiku ende s'ka marrë përgjigje nga Kurti për nismën për shkurtimin e fushatës zgjedhore

Sot gjatë ditës përmes një videoje në Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, propozoi që fushata e zgjedhjeve lokale të shkurtohet nga 30 në 10 ditë.

Përmes një reagimi në Facebook, Abdixhiku tregoi se deri më tani ka pranuar letra nga dy liderët e partive, Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, ai tha se ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Ende nuk kam marrë as konfirmim e as pranim propozimi nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti; të cilin e ftoj sërish, t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë”, shkroi Abdixhiku.

“Sot në mëngjes, nëpërmjet një mesazhi publik, kam ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare për një pakt partiak rreth shkurtimit të fushatës zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë; gjithmonë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore në vend.

Në orën 11:45, kam marrë përgjigje pozitive, në formë të shkruar, nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj; madje me një propozim të ri që fushata të mos zgjasë më shumë se 5 ditë.”, thuhet tutje në reagimin e tij.

Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë konfirmuar për KALLXO.com se mbështesin propozimin për shkurtimin e fushatës së zgjedhjeve lokale.

Vetëvendosje mbështet propozimin për shkurtimin e fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit

www.kallxo.com