Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

A do të vendoset Behgjet Pacolli në konvikte nëse kthehet nga Zvicra, flet këshilltari i tij

Këshilltari i kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Jetlir Zyberaj, ka thënë se nëse Behgjet Pacolli vjen në Kosovë, ai vjen në përputhje me rregullat e shtetit të Zvicrës.

Ai ka bërë edhe një pyetje rreth zbatimit të rregullave të Zvicrës nga autoritetet kosovare.

“z.Behgjet Pacolli ka respektuar rreptësisht rregullat e autoriteteve zvicerane dhe ka qëndruar në shtëpinë e tij në Lugano në mbyllje në javët e fundit që nga shpërthimi i virusit. Ai nëse vjen, vjen direkt nga shtëpia e tij, me avion privat duke respektuar rregullat e udhëzuara në Zvicër”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.

“Si del se autoritetet e Kosovës nuk kanë besim në rregullat e zbatuara nga autoritetet zvicerane?”, ka pyetur ai.

Ai ka thënë se karantina në konviktet e studentëve në Prishtinë ngjan me modelet në Kinë.

“Ideja për karantinë në një konvikt studentor është një model kinez që nuk është aplikuar në vendet e përparuara të Evropës”, thotë ai.

Për ardhjen e Behgjet Pacollit në Kosovë dhe vendosjen e tij në karantinë është deklaruar edhe ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia.

Deri më tani, të gjithë qytetarët që kanë ardhur në Kosovë nga jashtë janë dërguar në karantinë në Qendrën e Studentëve.