Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

32 vjeçari dyshohet se i vodhi varësen e floririt, arrestohet nga policia

Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të koduar “ndjekja” pas marrjes së informacionit se një person dyshohej se i vodhi një gruaje një varëse floriri.

Sipas policisë, i dyshuari është autor i dy rasteve të vjedhjeve me dhunë në qytetin e Durrësit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndjekja”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi, J.D., 32 vjeçar dhe i njëjti po dyshohet për vjedhje me dhunë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 16.09.2022, i ka vjedhur me dhunë varësen e floririt, shtetases Dh. M.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 09.09.2022, i ka vjedhur me dhunë çantën e dorës, shtetases Xh. H., ndërsa më datë 13.09.2022, i ka vjedhur me dhunë varësen, shtetases M. B.

Policia ka njoftuar se janë duke vijuar punën për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.