Ilustrim

2 të arrestuar për marrje ryshfeti, njëri inspekor i ATK-së

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Gjakovë, nën dyshimin për  keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Policia përmes një komunikate ka njoftuar se të arrestuarit janë një kontabilist dhe një inspektor i ATK-së.

“Pas pranimit të informacioneve nga ankuesi i rastit lidhur me një person të dyshuar i cili i kishte kërkuar ryshfet të njëjtit, përmes një personi të dytë, në këmbim të mos-shqiptimit të gjobës apo kontrollimit të biznesit të tij, Policia e Kosovës ka aplikuar masat e fshehta të hetimit, saktësisht “blerje të simuluar”, me ç’rast është arrestuar në flagrancë njëri nga të  dyshuarit (kontabilist) i cili nga ankuesi kishte pranuar një shumë parash prej 500 (pesëqind) euro, para të cilat janë pranuar për të dyshuarin tjetër (inspektor i ATK-së)”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjatë zbatimit të kësaj urdhërese është arrestuar edhe i dyshuari tjetër (inspektor i ATK-së).

Lidhur me rastin, personat e dyshuar të arrestuar janë: D. F.,i lindur me 1977 dhe B. H., i lindur me 1990.

Pas intervistimit të të dyshuarve, PK thekson se në konsultim me prokurorin kompetent, me vendim të tij i dyshuari D.F. (inspektor i ATK-së) është ndaluar në mbajtje, ndërsa i dyshuari B.H. është liruar në procedurë të rregullt.