Muaji i Anton Çettës. Foto: MKRS

Qeveria e Kosovës e shpall nëntorin "Muaj i Anton Çettës"

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot vendimin për shpallen e muajit nëntor, muaji i Anton Çettës.

Vendimi për shpalljen e muajit nëntor si muaj të Anton Çettës nga Qeveria është marrë me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria e ka shpallur muajin nëntor 2020 “Muaji i Anton Çettës”. Me vendim është miratuar edhe Programi i aktiviteteve për këtë muaj që do të jenë në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Pas vendimit të Qeverisë, MKRS përmes një komunikate ka bërë të ditur se muaji i Anton Çetës do të shënohet me një varg aktivitetesh si: përurimi i veprave te Anton Çettës, përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq.

Gjithashtu MKRS bë të ditur se do të themelojë edhe Çmimin “Anton Çetta”.

Po sipas ministrisë, gjatë këtij muaji do të ketë edhe ekspozita, filma dokumentarë e simpoziume shkencore që do të mbahen në Tiranë e Prishtinë.

“Ky propozim miratohet meqenëse viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së prof. Anton Çetës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve. Njëkohësisht, viti 2020 shënon 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit  të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Anton Çetta ka lindur në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë. Ishte shkrimtar, folkloriste e profesor universitar . Në vitet e  ’90-ta të shekullit të kaluar ishe në krye të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.