Foto: KALLXO.com

Promovohet libri për krimet serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” sot është promovuar libri “Tokë e mbjellë me varre”, i autorit Dibran Fylli.

Libri evidenton krimet që forcat serbe kanë kryer gjatë luftës së viteve 1998/1999 mbi popullatën civile në Kosovë.

 

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se libri i Fyllit është një dokument që flet me gjuhën e argumenteve mbi krime që janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.

“Për ta përkujtuar këtë periudhë të hidhur jo të largët për popullin tonë autori mblodhi shumë të dhëna dhe i renditi në libër që brezat e rinj të mos e harrojnë mundin dhe sakrificën sublime të dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa Skender Kodra, kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, ka kujtuar kontributin që mërgata në Amerikë  ka dhënë për luftën e Kosovës, duke dhënë edhe vlerësime rreth librit dhe kontributit të Fyllit.

Ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe zhgënjimin e tij më politikën kosovare veçmas kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm për mosmbajtje të premtimit dhënë atij dhe akademisë që ai drejton.

“Komandant Ramush Haradinaj më ka thënë se kur ta bëjë qeverinë një anëtar i Akademisë (AShAShA) do të jetë në stafin e ambasadës së Kosovës në Uashington dhe këtë nuk e ka realizuar”, ka thënë Kodra.

Ndërsa, autori i librit Dibran Fylli ka potencuar se përveç tjerash në këtë libër ka evidentuar emrat me mbi 300, siç ka thënë ai, kriminelëve serbë që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

“Në këtë libër janë të evidentuar mbi 300 e sa emra të kriminelëve serbë. Unë nuk i kam shpik ata emra, por i kam evidentuar nga vetë ata. Ata që kanë kryer krimet nuk i lë ndërgjegjja dhe po rrëfehen para medieve, duke treguar kush ka komanduar në ekip, sa vetë kanë qenë, etj”, ka thënë ai.

Për librin kanë folur edhe historianë dhe studiues tjerë të cilat kanë vlerësuar kontributin e Fyllit.

Promovimi është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, shtëpia botuese “PorkultPress” dhe Akademia Shqiptare- Amerikane  e Shkencave dhe Arteve me bazë në Nju Jork të ShBA-së.