Adem Demaçi - Foto: Facebook

Lidhja e Shkrimtarëve themelon çmimin 'Adem Demaçi'

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka themeluar çmimin letrar me emrin e Adem Demaçit. Këtë çmim Lidhja e Shkrimtarëve do ta ndajë çdo vit, më 5 mars, në akademinë letraro -artistike “Ora e Lirisë”, që mbahen në kuadër të Ditës së Dëshmorëve.

Vendimi për themelimin e çmimit “Adem Demaçi” është marrë gjatë një takimit që ka pasur kryesia e LSHK-së.

“Kryesia e LSHK-së, në mbledhjen e 5.12.2019, mori vendim për themelimin e çmimit të ri letrar me emrin e shkrimtarit, politikanit e atdhetarit ADEM DEMAÇI, që do të jepet përvjet më 5 mars në akademinë letrare-artistike “Ora e Lirisë”, për krijimin më të mirë të paraqitur në këtë veprimtari të LSHK-së, që organizohet në kuadër të Ditës së Dëshmorëve të Lirisë”, thuhet në njoftimin e LSHK-së në Facebook.

Heroi i rezistencës anti- serbe pas Luftës së Dytë Botërore, Adem Demaçi, shkrimtar dhe publicist, për disa vite ka drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.

Adem Demaçi ka lindur më 1936 në Prishtinë dhe vdiç më 26 korrik 2018.  Pas vetes Demaçi ka lënë një numër veprash letrare e publicistike, ndërsa u bë i njohur me romanin “Gjarpinjtë e gjakut”.