array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=7"
  }
}

A pati propozim nga Kosova në Bruksel për Asociacionin e komunave me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës?

Deklarata

“EKSKLUZIVE: Asnjë ujdi në Bruksel, Kosova del me propozimin për themelimin e Asociacionit në Luginë të Preshevës”

Media

Vlerësimi

Hetimet vazhdojnë

Në takimin e mbajtur me 16 nëntor 2022 në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje sa i përket vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. Ndërsa, sa i përket detajeve të takimit, duke përfshirë lajmin se Kosova ka propozuar “Asociacion të Komunave me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës”, zyra e zv.kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, e ka quajtur informacion të rremë. Ndërkohë, nga Ndërsa nga BE kanë refuzuar të komentojnë nëse ka pasur një propozim të tillë nga pala kosovare.

Artikulli

Më 16 nëntor 2022 mediumi ‘gazeta10’ publikoi një lajm me titullin “EKSKLUZIVE: Asnjë ujdi në Bruksel, Kosova del me propozimin për themelimin e Asociacionit në Luginë të Preshevës”.

Duke cituar burime ndërkombëtare, kjo gazetë raportoi se pala kosovare ka shtruar para ndërmjetësve evropianë edhe një propozim të ri, si ekuivalent të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare edhe në Luginë të Preshevës.

Ky lajm më pas u shpërnda edhe nga faqet e internetit ‘Infosot.com’, ‘Radio STAR Gjilan’, Lajme Globale, Preshevacom, si dhe disa faqe te tjera.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar me zyrën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator në dialogun Kosovë – Serbi. Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, ka mohuar të ketë pasur ndonjë propozim të tillë.

“Jo, nuk është e vërtetë” – ka thënë shkurt ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili është nga Lugina e Preshevës, për të marrë informacione nëse kanë bërë ndonjë propozim të tillë, ose nëse janë në dijeni për ekzistimin e një propozimi të tillë.

“Unë nuk kam asnjë informacion. Ne kemi kërkesën e vazhdueshme për reciprocitet dhe përfshirjen e Luginës së Preshevës ne dialog” – ka thënë  Kamberi.

Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi ka refuzuar të komentojë nëse ka pasur ndonjë kërkesë të tillë nga pala kosovare.

“Ne kurrë nuk komentojmë në publik përmbajtjen e takimeve të brendshme me partnerët në nivel pune dhe nuk marrim pjesë në spekulime se çfarë dhe si mund të jetë diskutuar në takime të tilla” – ka thënë për KALLXO.com Zyrtarja për shtyp e Komisionit Evropian, Zoi Muletier.

Më 15 nëntor, në Bruksel ka qëndruar zëvendëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, i cili ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas këtij takimi Lajçak ka thënë se në takim kanë diskutuar për atë që siç e ka quajtur ai “krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por nuk ka përmendur arritjen e ndonjë marrëveshjeje.

“Me zv. kryeministrin Besnik Bislimi, sot po diskutoj për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti çështjen e targave”- kishte shkruar Lajçak në Tëitter.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave ilegale të veturave me ato RKS, nuk u prit mirë nga serbët e Kosovës, të cilët vendosën t’i braktisin institucionet e Kosovës.

BE dhe SHBA kanë kërkuar shtyrje të vendimit, por qeveria ka theksuar se duhet të vazhdojë me zbatimin e vendimit.

Qeveria bëri edhe një plan për zbatimin e vendimit, sipas të cilit duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të jenë targat provuese për dy muaj të tjerë, dhe nga  21 prilli nuk mund të ketë më targa ilegale.

Më 20 nëntor, një ditë para fillimit të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, për shqiptimin e gjobave për pronarët e veturave me targa ilegale, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se shqiptimi i gjobave është shtyrë për një ditë dhe do të fillojë më 22 nëntor. Në ditën kur ishte planifikuar të fillojë shqiptimi i gjobave, i cili u shty për një ditë, në Bruksel janë takuar presidenti i Serbisë me kryeministrin e Kosovës në një takim urgjent për të diskutuar për situatën e krijuar në Kosovë. Takimi që zgjati për disa orë rezultoi pa ndonjë zgjidhje.