Rrjetet e drogës

Tre të arrestuarit e fundit në Pejë e Gjakovë lidhur me plantacionin e kanabisit në Sferkë të Pejës, ka dërguar në 11 numrin e te arrestuarve në Kosovë e Shqipëri lidhur me aksionin e koduar “Vera 2024”.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar pamjet e arrestimeve dhe intervistat me akterët e këtij hetimi.

KALLXO.com në tetor të vitit 2024 ka raportuar se qysh një grup i narko-prodhuesve nga Shqipëria e Kosova kishin ndërtuar njërin nga plantacionet më të mëdha të kanabisit në Kosovë.

Plantacioni ishte ndërtuar në fshatin Sferkë të Pejës. KALLXO.com atë kohë publikoi pamjet ekskluzive të aksionit të koduar “Vera 2024”,në të cilin u sekuestruan dhe shkatërruan rreth 3000 bimë narkotike të mbjellura dhe rreth 1 ton narkotikë e gatshme e llojit marihuanë.

Gjatë aksionit atë kohë ishte arrestuar vetëm një person nga Shqipëria, të tjerët ishin larguar nëpër rrugët e malit. Nga frika e kapjes nga policia, të dyshuarit në ikje e sipër kishin lënë aty telefonat e dokumentet e tyre personale,  e kjo ka dërguar në arrestimin e tyre në Shqipëri.

Edhe pse ka kaluar 1 vit e 3 muaj nga dita e aksionit, hetuesit dhe prokurori ende nuk i kanë ndalur hetimet për arrestimin e grupit.

Dyshimet e Prokurorisë dhe hetuesve janë se të dyshuarit e arrestuar nga Shqipëria nuk kanë mundur të vijnë vetë në atë mal, por ata janë ndihmuar nga të dyshuarit e tjerë nga Kosova. 11 të arrestuarit tashmë nga Kosova e Shqipëria përveç hetimit për narkotikë, ata janë duke u hetuar edhe për pasurinë e tyre, Prokuroria ka siguruar të dhëna për pasurinë e të dyshuarve në Kosovë dhe vendet e rajonit.

Prokurori Ersan Çavolli, i cili ka udhëhequr me këtë hetim ka thënë se të gjithë të niveluarit në plantacionin e drogës do te arrestohen.

“Siç e dini kohen kur kemi zhvilluar aksionin në shtator të 2024 tek plantacioni në Sferkë, aty e kemi arrestuar vetëm një person. Me pas nga hetimet tona ka rezultuar se disa nga të dyshuarit janë nga Shqipëria kemi bashkëpunuar me ta dhe janë arrestuar e disa janë ne pritje të ekstradimit në Kosovë, ndërsa sot pas me shumë se një vit arrestuam edhe 3 të dyshuar nga Kosova”- theksoi Çavolli.

Një vit e 3 muaj pas aksionit, prokurori i rastit ka arritur të sigurojë dëshmi dhe prova për përfshirjen e të dyshuarve nga Kosova. Këtë radhë, Prokuroria e Pejës ka vënë në thumb grupin tjetër nga Kosova, të cilët po hetohen nga gushti i vitit 2024.

Aksioni për arrestimin e tyre u zhvillua në orën 05:00 të një mëngjesi tetori. Prokurori i shtetit, Ersan Çavolli nga zyra e tij niset drejt stacionit policor në Pejë për t’i ndarë me udhëheqësit e njësive policore detajet e fundit para fillimit të aksionit ku priten të arrestohen te dyshuarit.

Brenda stacionit policor në Pejë, prokurori u tregon hetuesve dhe policëve specialë se grupi është i rrezikshëm dhe asgjë nuk duhet t’i lihet rastësisë, në 3 lokacione në Pejë e Gjakovë policët e Njësisë Speciale përgatiteshin për nisjen drejt 3 vendeve të dyshuara për t’i kryer arrestimet.

Të tre personave të arrestuar së fundmi, Gjykata Themelore në Pejë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve. Gjatë emisionit gjithashtu janë transmetuar pamjet dhe detaje ekskluzive të shkatërrimit të një plantacioni të kanabisit në rajonin e Pejës.