Kryesuesi i KGJK-së: Shqetësuese gjetjet e raportit të BIRN dhe Internews Kosova

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka folur për dënimet e ulëta të të akuzuarve për korrupsion.

Në konferencën e publikimit të raportit “Imuniteti i Korrupsionit”, të përgatitur nga organizatat BIRN dhe Internews Kosova, Zogaj deklaroi se tema e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit zë një rëndësi të veçantë në punën dhe proceset për reformimin e mëtutjeshëm të sistemit gjyqësor të vendit.

Kryesuesi Zogaj konsideroi se tashmë ekzistojnë mekanizmat për t’i adresuar këto çështje.

“Shqetësuese janë disa prej të gjeturave në raport, por fati i mirë në vlerësimin tim është se ne tashmë kemi mekanizma që mund t’i adresojmë këto çështje”, tha Zogaj.

Sipas tij, sfidë, problem dhe e keqe e madhe do të ishte në qoftë se nuk do të kishte mekanizma dhe vullnet për t’i adresuar këto probleme.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka folur edhe për procesin e vlerësimit të performancës së gjyqtarëve.

Zogaj tha se vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe gjyqësorit do të duhej të bëhej në mënyrë objektive pasi politika ndëshkimore nuk po zbatohet si duhet.

“Vlerësimi që ndoshta gjyqësori është i dështuar për shkak se gjyqtarët nuk janë vlerësuar me nota negative, të gjithë besoj se duhet t’i gëzohemi faktit në qoftë se nuk do të kemi gjyqtarë që do të vlerësohen me nota negative. Por, ne do të duhej të kishin një vlerësim shumë më objektiv”, deklaroi ai.

Shqetësuese Zogaj e konsideroi vlerësimin e gjyqtarëve në mënyrë të gabuar, preferenciale apo selektive.

“Shqetësuese do të ishte nëse kriteret për vlerësimin e gjyqtarëve mirë, shumë mirë dhe shkëlqyeshëm janë aplikuar në mënyrë të gabuar, preferenciale apo selektive”, tha ai.

Kryesuesi Zogaj ka shtuar se pas mbylljes së ciklit të perfomancës së vlerësimit të gjyqtarëve shumë shpejt do të ketë një rishikim të tërësishëm.

“Gjatë rivlerësimit do të kemi parasysh dy kritere, statistikat që do të jenë një pjesë e rëndësishme por jo fundamentale për përcaktimin e performancës së gjyqtarit dhe cilësia që do të bëhet nga komisioni i performancës”, deklaroi Albert Zogaj.

Tutje, Zogaj ka thënë se me rritjen e numrit të gjyqtarëve të rinj dhe rekrutimin e stafit mbështetës si dhe amendamentimin e kuadrit rregullativ dhe atë strategjik do të kontribuohet në zbatimin e politikës ndëshkimore.

Ai ka shtuar se po ashtu janë miratuar dy strategji për rritjen e efikasitetit në trajtimin e lëndëve kundër korrupsionit.

“Me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave në trajtimin e lëndëve kundër korrupsionit, KGJK ka miratuar Strategjinë për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitet 2022 -2024 si dhe Planin strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 efikasiteti dhe prioritizimi i lëndëve brenda sistemit gjyqësor”, tha mes tjerash Zogaj.

Organizatat BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë publikuar raportin “Imuniteti i Korrupsionit”, ku janë analizuar 40 raste të aktgjykimeve dënuese të korrupsionit gjatë vitit 2021.

Ky raport i monitorimit fokusohet në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021.

Raporti tregon se si gjykatat e Kosovës në rastet e korrupsionit nuk kanë zbatuar politikë ndëshkimore në përputhshmëri me udhëzuesit e nxjerrë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta te rastet e korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Pos tjerash është trajtuar edhe numri i madh të rrethanave lehtësuese që merren për bazë karshi atyre rënduese në rastet penale të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Po ashtu raporti shpërfaq se në aktgjykimet e gjykatave për rastet e korrupsionit nuk kemi arsyetim të rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit ishin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.