Pse Kaq Ngut Për T’u Rritur

Nuk i dua maturat…që prej vargjeve të këngëve të tipit “ne tash po ndahemi” dhe “le të mos na ndajnë vitet që po vijnë”, e deri tek shpenzimi i buxheteve shtëpiake që edhe ashtu janë të varfra.

Maturantët nervozë në kërkim të veshjeve të tyre “të përkryera” nuk e kanë hallin tek fakti se prindërit e tyre duhet të ndajnë me qindra euro. E tregimi nuk përfundon këtu sepse për këtë natë duhet të gjenden rrobat e përkryera. Qindra djem e vajza që mendojnë se e kanë pushtuar botën enden nëpër qendra tregtare në kërkim të kostumeve, fustaneve dhe dhuratave për mësimdhënësit.

Në kohën time nuk ishte ashtu. Ishte viti 2000. D kishte kryer klasën e tetë me sukses të shkëlqyeshëm dhe ishte floriri i nënës e krenaria e babait. Nga buxheti modest shtëpiak me shumë dashuri ishin ndarë gjithsej 20 marka. Në Graçanicë nuk ekzistonte asnjë butik i vetëm. Në afërsi nuk kishte asnjë qendër tregtare. Në një dyqan ishin ekspozuar dy fustane, njëra e zezë tjetra teget. E bleva atë tegetin, nëse ju intereson. Ja pra, kaq ishte puna e zgjedhjes. Tërë imagjinata ime lidhur me fustanin e përkryer ra në ujë. Një stiliste parahistorike e flokëve ma bëri një frizurë parahistorike. Tezet, hallat dhe tërë familja e gjerë më siguronin se po dukesha shkëlqyeshëm duke komentuar “Pa shih, kjo veç u bë vajzë e rritur”, “Shih sa e bukur është – si princeshë”, “E dashur, do të jesh më e bukura në maturë”. E dija se në fjalët e tyre ka më shumë dashuri se realitet, por jeta vazhdon e unë shkova në mbrëmje të maturës. Sot nuk e kam asnjë fotografi nga matura dhe më vjen mirë që nuk kam.

Matura numër dy. E mbarova shkollën e mesme. Isha e re, e pakënaqur me veten, me vendin ku jetoja, me tërë botën që më rrethone, kërkoja trajtim të veçantë nga prindërit e mi për këtë maturë. Çdo gjë kushtonte tepër shtrenjtë. Sot, më vjen keq për atë që kisha bërë. Mendoja që shpenzimi i një shume më të lartë parash do t’i kompensonte të gjitha ato që mua më mungonin. Nuk i kompensuan, e as që do t’i kompensojnë ndonjëherë.

Një kushërirë e imja më e largët ishte një nga maturantet e lartpërmendura dhe nëna e saj më ftoi që të dalim bashkë për të blerë sendet për maturën e saj. Unë u pajtova, sigurisht. Kjo mua më ngjante si provim përmirësues ngase kisha rastin që të përmirësojë gabimet e mia. Kjo vajzë 14 vjeçare kishte kërkesa holivudiane, që nga fustani, e deri tek këpucët dhe stolitë. Unë vërtet u solla si diktator i modës dhe nuk lejoja që asnjë gjë të jetë vulgare, e papranueshme ose të mos përshtatet me moshën e saj të re. E ajo donte pikërisht ato gjëra, të dukej së paku 5 vjet më e vjetër, të mbante take të larta dhe të vishte një fustan tepër provokativ. Mendoj se e kam fituar parajsën sepse e parandalova një fiasko mode dhe ndikova që kjo maturante e re të jetë mes vajzave të veshura më së bukuri në maturë dhe në përputhje me moshën e saj. Përse tërë kjo nguti për tu rritur? Edhe ashtu të gjithë ne i biem pishman e duam të kthehemi prapa.

Të gjitha këto veshje holivudiane prishen para se të përfundojë kjo mbrëmje. Fustanet bëhen duq, këpucët të vrasin ndërsa maturantët dehen. Dehen edhe profesorët e këtu nuk ka asgjë të re. Më vjen mund të lukth kur më bie në mend kjo paradë e dehjes dhe kiçit. Sjelljet e tilla do duhej ndaluar me ligj. Mendoni se jam tepër e rreptë?

Që të mos i bie se po vjell vrer tërë kohën, për fund desha të ndajë me ju një tregim tejet pozitiv. Nuk është në pyetje ndonjë tregim i zhanrit fantastiko-shkencor. Unë u trondita dhe u ngazëlleva. Në fakt, maturantët nga një qytezë e vogël në afërsinë tuaj kishin hequr dorë nga veshjet e tyre të maturës dhe i kishin dhënë paratë e tyre si donacion për qëllime humanitare. Për mbrëmje të maturës kishin veshur xhinse dhe bluza të bardha. Më duhet të pranoj se maturantë më të bukur nuk kam parë në jetën time. Ata kishin veshur mirësinë e tyre dhe zemrat e mëdha që i kanë – a ka gjë më të bukur se kjo?

Deri në leximet dhe shkrimet e radhës.

E Juaja, D.