Artisti i barokut Donat Krasniqi. Foto nga arkiva e Donat Krasniqit.

Duke ringjallur barokun për epokën moderne

Pasioni i Donatit buron nga “parajsa, jo nga përsiatjet tokësore” dhe ai beson se arti i tij do të mbijetojë dhe do të mbizotërojë epokën moderne me synimin për t’u bërë një mjeshtër klasik i barokut.

Përballë një pikture të zhytur në ngjyra të gjalla baroke, mjafton melodia e një kompozimi epik për t’u shkëputur nga realiteti dhe për të hyrë në një cikël hyjnor të rrethuar nga pyetje ekzistenciale.

Donat Krasniqi, një artist baroku nga Prishtina, e gjen veten në të njëjtën moshë me skulptorin e njohur, mjeshtrin e Rilindjes Michelangelo, kur ky i fundit krijoi skulpturën e mrekullueshme prej mermeri që gjendet në Vatikan, “La Pietà” që përshkruan Jezusin dhe Marinë.

Në moshën 25-vjeçare, Donati ndan të njëjtën ambicie si pikturat e tij barok, të cilat nxjerrin një cilësi të përjetshme – ai aspiron të jetë një “mjeshtër klasik i artit” dhe të lërë një trashëgimi të qëndrueshme me përpjekjet e tij krijuese.

Michelangelo është frymëzim për Donatin. Ai e konsideron krijimin artistik të mjeshtrit italian si “përsosmëri transcendentale”.

Pikturat e Donatit flasin dhe heshtin, qajnë dhe bërtasin, ndajnë dhe fshehin dhimbjen, duke të çuar në një udhëtim mijëra vjet mbrapa në kohë, ndërsa ende shikon nga e tashmja. Koha fshihet në secilën prej pikturave të tij, sikur të ishte emëruesi i përbashkët i pikturës, artistit dhe periudhës së cilës ai do të donte t’i përkiste – shekulli i 17-të.

Një nga pikturat e parapëlqyra të Donatit është ajo që ai e ka emërtuar “Time Attack”, ku shpërfaq një burrë të zhveshur me duar të ngritura që kërkon mëshirë. Foto nga arkiva e Donat Krasniqit.

“Megjithëse në këtë epokë mbizotëron arti abstrakt, të cilin e kuptoj, e di që nuk jam në trend… dhe nuk dua të lavdëroj apo përçmoj veten. Nga njëra anë, është mirë të jesh unik, por nga ana tjetër nuk mund ta shesësh, ose ata që e blejnë janë njerëz të rrallë” – tha Donati në një intervistë për Prishtina Insight.

Përgjatë shekujve, artistët barok me ngjyrat e tyre të gjalla kanë nxjerrë në pah një realitet të dhimbshëm mes surreales dhe reales.

Baroku mund ta çojë një person nga një cep i botës në tjetrin, dhe ata e bëjnë të duket sikur ju mund ta shihni realitetin universal brenda një kornize.

Përveç studimit të temës artistike “Koha” në universitet, tema mbizotëron gjithashtu në secilën prej pikturave të Donatit, qoftë përmes një akrepi ore që duket si një shigjetë, një orë rëre, një orë e vjetër që zbret nga lart, dy akrepa që kërkojnë të drejtuar drejt qiellit, ose një stuhi spirale në formë rrethore.

“Ne njerëzit jemi viktima të kohës, pavarësisht nëse e pranojmë apo jo. Ne lindim, rritemi dhe vdesim, por koha nuk ndalet kurrë dhe, natyrshëm, kjo lidhje nga baroku në kohët moderne ndodh”, tha Donati për gazetën.

A mund të mbijetojë ‘dora’ e shekullit të 17-të në shekullin e 21-të?

Shtrirja e ndryshimit që ka pësuar njerëzimi nga epoka barok në kohët moderne është e dukshme në çdo figurë të portretizuar në pikturat e Donatit: Duar të fuqishme, linja të theksuara trupore dhe sy të thellë pasqyrojnë njerëzit modernë nën petkun e njerëzve klasikë.

Megjithatë, a mund të mbijetojë një artist barok në një epokë ku inteligjenca artificiale mund të pikturojë çdo gjë që dikush dëshiron me një prekje të një butoni?

Ngjashëm me pikturën e artistit Gustave Dore, por me ngjyrat e Donatit, stuhia e kohës paraqitet këndshëm në formë spirale. Njerëzit udhëtojnë, afrohen me njëri-tjetrin, gjejnë dhe humbasin veten në një cikël që çon në një vrimë të zezë që përfshin të gjithë sipërfaqen, por në fund, është vetëm një pikë qendrore: koha, e paraqitur në mënyrë hyjnore me numra romakë.

Artisti i barokut Donat Krasniqi. Foto nga arkiva e Donat Krasniqit.

Në mënyrë paradoksale, Donati e konsideron inteligjencën artificiale si të dobishme për artistët pasi, në vend që të organizojë 12 persona për të pikturuar “Darkën e Fundit” të Leonardo da Vinçit, ai mund t’i rregullojë ato përmes një fotografie të rigjeneruar.

Megjithatë, artisti i ri nuk beson se e përbashkëta e ndryshimit të epokave do ta mposhtë artin e tij, edhe nëse konsiderohet jashtë modës. “Moda kthehet gjithmonë, ashtu si këmisha jote që e ke vesh, që po duket klasike me tipare moderne”- shpjegoi Donati teksa analizonte artin në këmishën e gazetares.

Mes të bardhës, të kuqes dhe jeshiles, dhe çdo gjëje në mes, një nga pikturat e tij të preferuara është ajo që ai e quajti “Time Attack”, që përshkruan një burrë të zhveshur me duar të ngritura që kërkon mëshirë.

Për të krijuar këtë pikturë, Donati kaloi orë të tëra ulur në këndin e tij të pikturës në shtëpi, i frymëzuar nga gjendja shpirtërore e babait të tij kur doli në pension, duke u ndjerë i pakënaqur që u plak dhe nuk mund të kontribuojë më shumë.

“[…]Është më shumë një kërkim për mëshirë nga koha sepse koha është hyjnore. Ne nuk e shohim atë, ne shohim vetëm se si ndikon në trupin tonë. E prezantoj si një orë, si një formë mëshirë për kohën e humbur”- shpjegoi Donati për ‘Time Attack’.

Donati nuk i shet pikturat e tij përmes ankandeve siç ndodhte në të kaluarën, por përmes rrjeteve sociale. Ndërsa pikturat e tij më të dashura, mbi të cilat punon prej muajsh, vështirë që i’a shet dikujt.

Veprat e artit barok nuk janë të zakonshme në shoqërinë e sotme kosovare. Megjithatë, fëmijët rriten me figura të Venusit dhe Marsit në librat e artit figurativ.

“[…]Kur piktura nuk më thërret, nuk shkoj të pikturoj sepse është më mirë kur të thërret, kur piktura të thotë hajde pikturom. Por kur nuk e ndjej atë zë të brendshëm, nuk pikturoj, pasi vetëm do të më humbisja kohë” – shpjegoi Donati.

Gjetja e vetvetes përmes të rrallës

Piktura nuk ka turp, ashtu siç nuk është i turpshëm trupi i njeriut dhe krijimi i tij. Nga maja e syrit deri te organet riprodhuese, çdo pjesë e trupit të njeriut shpreh diçka të pazëvendësueshme, e përfaqësuar më së miri përmes një pikture që përcjell një ide.

“Vetëm me trupin e njeriut mund të përcillni një mesazh të madh, qoftë edhe me një lëvizje. Është komunikim pa fjalë”, përshkruan Donati.

Në shoqërinë shqiptare, përshkrimi i figurave të zhveshura si pikturat “Venus and Cupid” dhe “Lucretia” shihet ende disi si një tabu, aq sa një nga paragjykimet që has Donati është arsyeja pse ai pikturon trupa femrash të zhveshur.

Në çdo pikturë gjysmë të zhveshur nga Donati, shihet një draperie me ngjyra të gjalla që mbulon organet riprodhuese të njeriut, që ngjan me pikturat e vjetra të krishtera. Foto nga arkiva e Donat Krasniqit.

Figurat e zhveshura kanë qenë gjithmonë një frymëzim për artistët e mëdhenj, veçanërisht ata të epokës së barokut, si për shkak të fuqisë që mbartin, ashtu edhe për estetikën e tyre.

Në çdo pikturë gjysmë të zhveshur nga Donati, shihet një draperi me ngjyra të gjalla që mbulon organet riprodhuese të njeriut, që ngjan me pikturat e vjetra të krishtera.

Donati beson se figura e femrës gjithmonë ka qenë themeli i shoqërisë si e ardhmja e njerëzimit.

“Kur vizatoja [njerëz] gjysmë të zhveshur në shkollë, e pashë atë më shumë si një trup se sa artisti ka arritur të krijojë një gjë të tillë, [dhe] ndryshe nga mënyra se si shokët e mi të klasës e perceptonin atë si të turpshme,” shpjegoi Donati, duke shtuar se ai zbuloi talentin e tij në shkollën fillore, duke e forcuar atë në kursin e artit për një vit dhe më pas vazhdoi studimet për pikturë në Universitetin e Prishtinës.

Artisti ka pikturuar gjithmonë vetëm në stilin barok dhe në këtë formë më pak të zakonshme, ai përpiqet t’i përcjellë shoqërisë mesazhe vetëdijesuese, ndryshe nga format abstrakte.

“Pasioni im vjen nga qielli, jo nga përsiatjet tokësore”, është një nga thëniet e tij të parapëlqyera nga artisti Peter Paul Rubens, të cilin ai e konsideron si frymëzim për punën e tij.

Një nga pikturat e tij të zhytura në gjak shfaq me dhimbje realitetin. Vrasja e Marigona Osmanit nga i dashuri i saj, i akuzuari Dardan Krivaqa është “qëndisur” në formë inati në një cohë të bardhë.

Në ballë, shihet një figurë qendrore ose protagonist dhe gjithë inati i tij shfaqet i transformuar si një demon që i del nga shpirti përmes shpinës, si krahë të zinj me brinjë; pjesa e bardhë e vendosur në pjesën e poshtme të trupit si një maskim nga shoqëria, si mbulesë për fytyrën e tij të vërtetë. Ndërkohë, në prapavijë duken këmbët e viktimës dhe vrasësi ushqen imagjinatën e shfrenuar të demonit me gjakun e viktimave.

“E gjithë kjo pakënaqësi vjen nga një burim më i keq, nga toka. Unë e ndaj këtë pjesë: toka është ferr, parajsa është qielli”, shpjegoi ai, duke shtuar se këtë pikturë e ka krijuar si një formë proteste kundër shoqërisë.

Caravaggio, Rubens dhe Michelangelo mbeten të vetmit artistë që e frymëzojnë atë.

Donat Krasniqi e sheh barokun si pjesë të pandashme të qenies së tij, aq sa sakrifikon kënaqësitë e rinisë për t’u kthyer në këndin e tij artistik për të punuar deri në orët e vona të natës.

“Kur pikturoj, i them vetes vetëm një gjë, “vetëm shiko ato piktura dhe sa vite kanë qenë atje”, dhe kjo ndez një lloj zjarri brenda meje. Artin e ndaloj vetëm nëse pritet një dorë ose ndodh një aksident tragjik; përndryshe nuk do të heq dorë nga baroku”- përfundoi artisti.

Artikulli fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.