Hapi i Tyre

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u ndërmjetësua nga Bashkimi Europian, vërtet përbën përparim. Por, suksesi përfundimtar i saj (ose dështimi) varet nga ajo që do të ndodhë në terren në veri të Kosovës.

Mbase në dramën e Thaçit, Daçiqit dhe Ashtonit është harruar fakti se në atë pjesë të Kosovës të banuar kryesisht me serbë, njerëzit nuk do të ndryshojnë qëndrimet e tyre për shkak të një nënshkrimi të vënë në Bruksel.

E mesazhi i dhënë nga shumica e banorëve në veri pas këtij pakti historik të lidhur me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve është – tradhti: se Beogradi i shiti ata për një biletë për në BE.

Kjo është e kuptueshme dhe në masë të gjerë e vërtetë: udhëheqësit në Serbi kanë hequr dorë nga autoriteti i tyre mbi serbët në veri të Kosovës, duke ia dorëzuar atë Prishtinës, për të gëzuar mirësinë e Brukselit.

Por, kjo marrëveshje, përkundër ofendimit të cilin po e ndjejnë serbët e veriut, përbën një fitore edhe për ta. Ajo e pranon realitetin dhe e përkrahë dëshirën e tyre për të vetëmenaxhuar punët përmes asociacionit të komunave.

Edhe pse ne shpesh kur flasim për veriun atë e ndërlidhim me një popullatë kontrabandistësh dhe kriminelësh të angazhuar për të menaxhuar postblloqet e vëna, atje në fakt jeton edhe një popullatë e cila i nënshtrohet ligjit dhe e cila meriton që zëri i saj të respektohet.

Të ashtuquajturat struktura paralele, të cilat sigurisht janë problematike në raste të caktuara, gjithashtu kanë vënë në pah një fakt të thjeshtë – se serbët nga veriun thjeshtë duan të qeverisin me vetveten.

Këta njerëz nuk duan të kenë ndërhyrje nga Prishtina, dhe kjo është e drejtë e tyre. Por, nuk ka ndonjë nevojë urgjente për ta që ta përqafojnë autoritetin e Kosovës. Përpjekjet për t’iu kundërvënë këtij qëndrimi do të kenë ndikim negativ.

Në vend të këtyre skenarëve, veriu meriton një rast për të rregulluar jetën e vetë. Por, në anën tjetër, ata kanë përgjegjësi për të siguruar kushtet themelore – siç është sundimi i ligjit.

Se si do ta përkufizojnë veten nuk është aq e rëndësishme.

Qeveria dhe përkrahësit e saj ndërkombëtarë do duhej t’i rezistojnë dëshirës së fortë për t’u bërë presion këtyre serbëve. Në anën tjetër, Beogradi duhet të zbatojë deri në fund vendimin e vetë për të hequr dorë nga kuazi-autoriteti i vetë.

Çka na pret, sigurisht, nuk dihet. Por, ky vendim duhet të jetësohet në Zveçan, Mitrovicë të Kosovës dhe Zubin Potok, e jo në Beograd, Prishtinë ose Bruksel.

Edicioni i ri i gazetës Prishtina Insight është botuar të premten dhe përfshin hulumtimin për blerjen e PTK-së.