Albin Kurti, Foto: Lëvizja Vetëvendosje, 17.06.2024

Animet e Kurtit gjatë zgjedhjeve në shtetet e tjera: Veprim normal apo rrezik për diplomacinë?

Preferencat politike prej socialdemokrati, kryeministri Albin Kurti, nuk ka ngurruar t’i shpreh kurdo e kudo që janë organizuar zgjedhje në rajon e më gjerë. E nisi me shtetet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, e më pas e zgjeroi rrethin deri në Francë e Britani të Madhe, pa e lënë anash as Gjermaninë gjatë zgjedhjeve europiane.

Se cilat forca politike e cilët kandidatë ka dëshiruar t’i sheh fitues në këto shtete ai e ka thënë botërisht. Bile në një rast bëri thirrje për votim të njërës parti, “në mënyrë që të fitojë demokracia” dhe të bie “retorika përçarëse”.

Votën për socialdemokratët, Kurti e konsideron të domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të cilat sipas tij, “janë të kërcënuara çdo ditë e më shumë nga rrymat e djathta radikale” që për bindjen e tij, “tentojnë të na rikthejnë në periudhat e zymta dhe të errëta të shekullit të kaluar”.

Për këtë qasje të shefit të Qeverisë së Kosovës, tre njohës të çështjeve politike, dy prej të cilëve me përvojë në diplomaci, kanë pikëpamje të ndryshme. Në një aspekt vlerësohet se është e drejtë e Kurtit që publikisht t’ia mbajë anën krahut politik që i takon.

Në anën tjetër, një qasje e tillë konsiderohet se mund të shkaktojë zbehje në marrëdhëniet diplomatike në rast së nuk fiton partia e cila përkrahet prej tij. Por, ekziston edhe një bindje: qëndrimet e Kurtit nuk kanë të bëjnë aspak me ideologjinë e tij.

“Mirë me të gjithë”

Koalicioni i sapoformuar në Francë, të cilin Kurti e mbështeti, Fronti i Ri Popullor – një koalicion i majtë i përbërë prej të gjelbërve, socialdemokratëve, komunistëve dhe partisë majtiste të Jean-Luc Melenchonit, Franca e Panënshtruar, fitoi më së shumti ulëse në zgjedhjet e së dielës, por jo shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë.

Qëndrime të tilla të udhëheqësit të vendit, kanë vënë Kurtin nën dritën e teatrit, se a ka të drejtë një kryeministër të përfshihet aq haptazi në politikën e brendshme të një shteti tjetër. Le më kësaj, a duhet një kryeministër “ta mbaj mirë me të gjithë” partitë. Apo, nuk ka rëndësi se sa mundet t’i shkaktoj dëme marrëdhënieve mes dy vendeve në rast se pushtetin e merr partia tjetër, përderisa ideal është të shtyhet përpara e majta.

Në Francë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 korrik 2024, pasi që e djathta ekstreme shënoi sukses të theksuar në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Si lider i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministër i vendit, Kurti mori riskun që të mbështesë bashkimin e së majtës të mbledhur nën emrin Nouveau Front Populaire (Fronti i Ri Popullor).

“I bëj thirrje të gjithëve të mbrojnë demokracinë duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 30 qershor dhe 7 korrik”- shkroi Kurti në rrjetin social “X”, në lidhje me zgjedhjet në Francë, i cili vazhdimisht kishte shkruar se “e djathta ekstreme është kërcënim për Europën.

Engjëllushe Morina, anëtare e Lartë e Politikës në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, vlerëson se reagimet e kryeministrit Kurti vijnë më shumë prej pozitës ideologjike që ai përfaqëson, si social-demokrat i Europës.

“Kurti nuk heziton që t’i shpreh përkrahjet e tij haptazi para zgjedhjeve, qofshin ato në Francë, Britani të Madhe apo edhe SHBA”- thotë Morina për Kallxo.com.

Sipas saj, të gjitha ato parti që janë përkrahur publikisht nga Kurti janë ose parti demokratike ose social-demokratike. Në këndvështrimin  e saj, pavarësisht se kush fiton në këto shtete, marrëdhëniet bilaterale nuk ndërtohen në bazë të relacioneve personale të liderëve, por në bazë të interesave të shteteve.

“Kurti ka marrëdhënie shumë të mira me kryeministrin e Spanjës, sepse të dy janë pjesë e socialistëve të Europës, dhe me kryeministrin e Greqisë, por kjo nuk do të thotë që Spanja dhe Greqia do të njohin Kosovës në bazë të këtyre marrëdhënieve personale”- shprehet Morina.

Në anën tjetër, Valon Murtezaj, ish- zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, thotë se një udhëheqës duhet të këtë parasysh që kur është në qeveri, duhet të tregohet më i kujdesshëm.

Sipas tij, udhëheqësi në të njëjtën kohë duhet të mirëmbajë një bashkëpunim adekuat dhe të balancuar me secilën qeveri të një vendi evropian.

Murtezaj, i cili është profesor i Negocimit Ndërkombëtar, Menaxhimit të Konflikteve dhe Diplomacisë në IESEG School of Management në Francë, ka dy pikëpamje lidhur me të mbajturit qëndrime publike haptasi si në rastin e Kurtit, që në një formë ose tjetrën, mund të jetë “thikë me dy teha”.

“Në njërën anë është legjitime që një parti politike – nëse është anëtare e familjes përkatëse politike ideologjike – të përkrah një parti tjetër politike në një vend tjetër. Por, në anën tjetër, shpeshherë kjo tregohet veprim i paduhur, sepse situatat në vendet e ndryshme mund të jenë shumë komplekse, dhe gabime mund të bëhen”- thekson Murtezaj për Kallxo.com.

LVV është një parti politike socialdemokrate me prirje të majtë. Në përgjithësi, krahu i majtë karakterizohet nga një theksim në ide, si: liria, barazia, vëllazëria, të drejtat, përparimi, reforma dhe internacionalizmi. Ndërsa, krahu i djathtë karakterizohet nga një theksim në nocione si autoriteti, hierarkia, rendi, detyra, tradita dhe nacionalizmi.

“Në raste të këtilla, për secilin udhëheqës institucional të Kosovës, është më e duhur që, në vend të sjelljes sado legjitime të përkrahjes së një partie politike, dhe është më mirë të përzgjidhet sjellja e mençur e ruajtjes së bashkëpunimit të balancuar edhe me partitë apo koalicionet që janë në qeverisje në një shtet të caktuar”- vlerëson Murtezaj.

Ndër të tjera, ai thotë se, liderët e Kosovës duhet t’i njohin mirë kush janë përkrahësit e pavarësisë dhe shtetformimit të Kosovës.

“Kjo duhet të jetë parimi udhëheqës në sjelljen dhe veprimet në arenën ndërkombëtare”- shton ai.

Krejt ndryshe vlerëson analisti politik, ish-kryetari i LVV-së, Visar Ymeri. Ai ravijëzon dallimet e qëndrimeve të Kurtit për zgjedhjet në shtetet e lartëpërmendura, të cilat sipas tij dallojnë njëra me tjetrën.

Sipas Ymerit, ka raste të caktuara kur partitë që janë pjesë e familjeve ideologjike në Europë e mbështesin njëra- tjetrën në proceset zgjedhore, “por kjo ndodh brenda familjes dhe është goxha fenomen europian”.

“LVV janë anëtar observues i Partisë së Socialistëve Europianë. Së këndejmi mbështetja për partitë evropiane anëtare në PoES është edhe e pritshme edhe e zakonshme” – thotë Ymeri, duke cilësuar se shumica dërrmuese e ndërhyrjeve të Kurtit, as nuk ndalen te mbështetja e zakonshme e aq më pak janë parimore e ideologjike.

Për zgjedhjet në Francë, ish-partiaku i tij, Visar Ymeri thotë se Kurti ka dal publikisht në përkrahje të bllokut të majtë, të udhëhequr nga Melenchon, që sipas tij, ka qëndrime problematike ndaj pavarësisë së Kosovës, duke iu bashkuar kështu një thirrjeje më të gjerë kundër së djathtës ekstreme.

Ndërkaq, për në Britani të Madhe, Ymeri thotë se Kurti nuk është pozicionuar qartë për Partinë Laburiste.

Me një observim në qëndrimet e Kurtit, shihet se në krahasim me Francën, ai u tregua “më i mbyllur” në vigjilje të zgjedhjeve në Angli, duke mos shpërfaqur drejtpërdrejt emrin e partisë.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do të kishim rastin për të uruar Mbretërinë e Bashkuar për 4 korrikun. Për ne progresistët kjo është e mundur. Nesër është dita e zgjedhjeve vendimtare për këtë mik dhe aleat të jashtëzakonshëm të Kosovës”- kishte shkruar Kurti.

Pas rezultateve uroi kryeministrin britanez Keir Starmer për fitoren “dërrmuese historike”, siç e quajti ai, duke dëshiruar që në të ardhmen të kenë bashkëpunim.

Laburistët e qendrës së majtë kishin arritur fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe, duke i dhënë kështu fund qeverisjes 14-vjeçare të Partisë Konservatore.

Përzierje në punë të brendshme

Prej verës së kaluar, kryeministri Kurti ishte parë si “kërcënim” për partitë politike në Maqedoni të Veriut. Ani pse në takimin e krerëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup më 22 janar 2024, Kurti deklaroi që Lëvizja Vetëvendosje “nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet atje dhe nuk ka të regjistruar parti”, krahas asaj që mbështet partitë shqiptare opozitare atje.

Në Maqedoninë e Veriut, Kurti nuk ia mbajti krahun së majtës. Atje, ai e mbështeti publikisht koalicionin shqiptar, që mëtoi formimin e qeverisë bashkë me partinë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm fqinjë, por janë aleatë dhe partnerë të ngushtë në orientimin në NATO, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE”- shkroi Kurti në “X”, kur uroi kryeministrin Hristijan Mickocski.

Engjëllushe Morina thotë se në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, përkrahja “e zëshme nga kryeministri i Kosovës është parë edhe si përzierje në punët e brendshme të shteteve fqinje. Megjithatë, ajo vlerëson se në rastin e Maqedonisë së Veriut, vend i cili ka përqindje substanciale të popullatës shqiptare, beson që nuk ka diçka të rrezikshme shprehja e përkrahjes.

“Atë [përkrahjen] e kanë bërë edhe partitë tjera në kohëra të ndryshme. Por, kjo përkrahje gjithsesi që duket si problematike nga shumë përcjellës të politikës, por edhe liderë të ndryshëm në atë vend” – shprehet Morina.

Mirëpo, Morina thotë se qëndrimet e Kurtit nuk duhet të shihen si përzierje në punët e brendshme, duke shtuar se si në rastin e Francës ka të bëj më së shumti me përkrahje ideologjike, sesa përzierje në punët e brendshme.

Në anën tjetër, Ymeri i quan dallime thelbësore qëndrimet e Kurtit për zgjedhjet në Francë dhe në Angli, me ato në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, pasi sipas tij, në dy rastet e fundit nuk ka mbajtur vetëm qëndrim, po edhe është përfshirë.

Ymeri thotë se në Maqedoni të Veriut, Kurti ka dal kundër ideologjisë së tij socialdemokrate.

“Ai ka mbështetur drejtpërdrejt dhe aktivisht bllokun opozitar të shqiptarëve dhe nuk ka kërkuar as edhe një herë votë për socialdemokratët veri-maqedonas”- tha Ymeri.

Më 8 maj 2024, qytetarët e Maqedonisë së Veriut i dhanë fund qeverisjes shtatëvjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare. Fituese doli VMRO-DPMNE-ja e spektrit të djathtë.

Në këto zgjedhje garoi edhe Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit dhe anëtar i Vetëvendosjes, i cili në kuadër të listës së atjeshme zgjedhore VLEN, fitoi mandatin e deputetit.

Në fund të dhjetorit 2023, tri partitë shqiptare opozitare, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike në Maqedoninë e Veriut, të cilat u mbështeten nga kryeministri Kurti paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e majit.

Ndërkaq, për zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri, sipas Ymerit, kryeministri Kurti, ka marrë pjesë drejtpërdrejt përmes LVV, edhe në të cilat votoi.

LVV garoi në tri bashki të Shqipërisë – Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër, por nuk shënoi rezultate. Në këto zgjedhje, Vetëvendosja mori vetëm 3,541 vota nga rreth 1 milion e 660 mijë vota gjithsej.

“Jo secilat [qëndrime të Kurtit] janë mbështetje, sepse kemi pjesëmarrje aktive në zgjedhjet e një vendi tjetër që është absolutisht e palejueshme dhe e dëmshme”- shton Ymeri, lidhur me zgjedhjet në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Ymeri thotë se Kurti nuk i ka mbështetur partitë simotra ideologjike në Maqedoni të Veriut, në Shqipëri ka qenë drejtpërdrejt kundër këtyre partive simotra.

Për përfshirjen e Kurtit, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha më 17 janar 2024, se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare – tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.

një analizë paraprake të KALLXO.com, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa kishte theksuar, që mundësia e hapjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni të Veriut është përtej ndërhyrjes në politikën e brendshme të një shteti fqinj.

Sipas tij, animi i Kurtit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, është parë në këtë rol dhe kjo mund të jetë problematike për imazhin e Kosovës.

“Është edhe një lloj përpjekje vetanake e liderit Kurti për t’u parë si ambicie e cila nuk ngopet me të qenit kryeministër i vetëm i Kosovës”– shprehet ai.

Ymeri këmbëngulë që qëndrimet e Kurtit nuk kanë të bëjnë me shtyrjen e ideologjisë së tij majtiste përpara.

“Pra, mbështetjet duken të jenë më shumë oportuniste, nacionaliste e ndërhyrje në zgjedhjet e brendshme se sa mbështetjet parimore të partive të ideologjisë së cilës i takon Kurti dhe LVV”- shprehet Ymeri.

Frika nga e djathta

Zgjedhjet në Bashkimin Europian dhe frika nga e djathta në disa vende të Europës e ka ndërruar lojën dhe rendin.

Në maj, Kurti ka marr pjesë në konferencën e nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Europian në Berlin, dhe nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ka shprehur mbështetjen për kandidatët socialdemokratë Katarina Barley dhe Nicolas Schmit.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Bashkimin Europian tregojnë se partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Europian.

Përderisa Britania e Madhe e ka shmangur trendin e kthimit nga e djathta që është parë së fundi në Europë, përfshirë në Francë dhe në Itali, shumë prej rrymave të njëjta populiste paraqiten në Britani.

Kosova ende nuk është anëtare e Bashkimit Europian, por kjo nuk do të thotë që ndryshimet brenda saj të mos ndikojnë brenda vendit të vogël që mëton të bëhet pjesë e familjes europiane.

Engjëllushe Morina, beson që qëndrime të tilla të Kurtit ka mundësi që po bëhen pikërisht për shkak të gjendjes politike nëpër botë, luftës mes fronteve të kundërta.

“Për shkak të kontekstit geopolitik, grupe të ndryshme politiko/ideologjike po synojnë që të bëhen sa më bashkë që të përçojnë mesazhe të qarta për drejtimet politike në te cilat ata besojnë që zhvillimet duhet të drejtohen, sidomos në një situatë ku polarizimet politike janë të skajshme”-

Në zgjedhjet e BE-së, e djathta shënoi fitore edhe në Spanjë, si dhe përparim në Hungari. Kurse, në Holandë, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë doli e dyta. Në Itali, pasi partia e  ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, mundi Partinë Demokratike të qendrës së majtë.

Visar Ymerit thotë se dalja publike me një dozë pompoziteti të kryeministrit Kurti mund të shihet edhe nga një perspektivë tjetër: efekti i këtyre mbështetjeve mund të jetë inekzistent ose tejet i kufizuar.

“Kështu që fatura që mund të paguhet mund të jetë shumë më e lartë se sa dobia që shkakton ndërhyrje e tillë”- tha Ymeri.

Sipas tij, efekti i Kurtit në zgjedhjet në ShBA është inekzistent, ndërkohë që fitorja eventuale elektorale e kampit tjetër mund të sjellë pasoja serioze për Kurtin. Ose, si i referohet ai në mes kllapave, “mendoj që pasojat për Kosovën do të kishin qenë më të vogla”.

Është pikërisht kjo “përplasje e fronteve” që sipas Ymerit e “bën luftën elektorale më të shprehur e më të gjerë”.