Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore - departamenti i Kimisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Vërejtje me shkrim profesorit të UP-së për keqpërdorim të autoritetit

Organizata për Cilësinë në Arsim (ORCA) ka njoftuar se Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për shqiptimin e masës “vërejtje me shkrim” për Profesorin Asistent Ilir Shehu, nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore.

Kjo pasi ka aprovuar denoncimin e ORCA-s të bërë më 14 shtator 2018.

Këshilli i Etikës i UP-së ka konstatuar se profesori Ilir Shehu ka kryer dy shkelje sipas rregullativës në fuqi: “kryerja e aktiviteteve që bien ndesh me interesat e institucionit apo veprimet që e dëmtojnë institucionin” dhe “keqpërdorim i autoritetit dhe emrit të universitetit për përfitime personale”.

Siç është konstatuar edhe në vendimin e Këshillit të Etikës me numër 2/178 i datës 23 korrik 2019, pas denoncimit nga ORCA të revistës “International Journal of Pharmaceutical Sciences Review” për praktikat mashtruese pasi kjo revistë botoi punim pa asnjë kualitet të autorit fiktiv Rrush Kalaveshi, Senati e futi këtë revistë në listën e revistave të dyshimta.

Në njoftimin e ORCA-s thuhet se i denoncuari Ilir Shehu duke paraqitur veten si prodekan të Fakultetit ku punon i ka shkruar revistës mashtruese dhe i ka kërkuar që ta heq punimin e Rrush Kalaveshit pasi në të njëjtën revistë kishin publikuar edhe disa profesorë të tjerë të cilët nuk u avancuan meqë revista u fut në listën e revistave të dyshimta nga Senati.

Sipas ORCA-s vet ilir Shehu ka publikuar 5 punime në këtë revistë që tashmë konsiderohet mashtruese edhe nga vetë Senati i UP-së.

“ORCA përshëndet vendimin e Këshillit të Etikës, por mendon se shkeljet e kryera nga profesori kanë merituar masa më të ashpra. Sido që të jetë ORCA shpreh përkushtimin e saj që ta denoncojë secilin që mendon se mund ta mashtrojë Universitetin e Prishtinës apo taksapaguesit kosovarë përmes komprometimit të procesit të avancimeve në UP”, theksohet në njoftimin e ORCA-s.

Vendimin e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për profesorin asistent Ilir Shehun mund ta lexoni KËTU.

Senati i UP-së klasifikon si të dyshimtë një revistë për publikime shkencore

.