Elektroenergjetika rrezikon të mbyllet, kërkohen masa urgjente nga UP

Departamenti i Elektroenergjetikës rrezikon të mbyllet si pasojë e mungesës së stafit akademik. Kështu është thënë sot gjatë prezantimit të të gjetjeve nga një hulumtim i OJQ Admovere.

Admovere, anëtare e koalicionit për integritet dhe transparencë në universitet (KITU) të mbështetur nga fondacioni i Kosovës për shoqëri të hapur (KFOS) paraqitën një raport hulumtimi me detaje të marra nga OJQ Admovere të cilët paraqesin një pasqyrë të gjerë për gjendjen në Fakultetin e Inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike (FIEK).

Shkëlzen Gashi, botues i këtij hulumtimi, tregoi se ku janë bazuar në marrjen e të dhënave gjatë kryerjes së këtij hulumtimi, e që sipas tij kjo u lehtësua më shumë me anë të sistemit Sems i cili u funksionalizua nga viti 2012 për të iu qasur të dhënave.

”Jemi takuar me profesorë të kësaj fushe, dhe kemi vërejtur se ekziston rreziku që elektorenergjetika të mbyllet. Prej 2012 deri 2019 kemi kërkuar CV të profesorëve dhe lista të bashkëpunëtorëve të jashtëm, lista me marrëdhënie të rregullt pune, të pensionuar vitet e fundit, pasqyra të regjistrimit të studentëve, si dhe ndarjen e bursave, po ashtu pasojat që mund t`i kenë ndërmarrjet nga mbyllja e këtij drejtimi. Kemi zhvilluar intervista me dekanë, profesorë inxhinierë dhe njohës të ndryshëm të kësaj fushe”, tha Gashi.

Aulona Mehmeti, hulumtuese, shprehu shqetësimin se departamenti i elektroenergjetikës po rrezikon të mbyllet nga mospërtërirja e stafit akademik dhe mungesa e hapjes së konkurseve.

“Ky departament po rrezikon të mbyllet për shkak të mos mospërtërirjes së stafit akademik, një pjesë e madhe e tyre i përkasin një gjenerate dhe pensionimi i tyre ndodh në një kohë të shkurtër, e krejt kjo pasohet me mos shpalljen e konkurseve”, tha Mehmeti.

Më tutje Mehmeti tregoi edhe për mungesën e asistentëve të cilët po menaxhohen me angazhim shtesë nga të pensionuarit.

“Nuk ka asistentë me pozitë të rregullt, mungesa e tyre po menaxhohet nga angazhimi shtesë i profesorëve të pensionuar, gjithashtu është vërejtur një përgjysmim i numrit të studentëve dhe vështirësitë që po kanë në kryerjen e provimeve me kohë”, shtoi tutje Mehmeti.

Ajo hodhi fajin mbi trupin udhëheqës të Universitetit të Prishtinës për mos menaxhim dhe harmonizim të kurrikulave dhe kriterit vlerësues nga viti në vit.

“Ne kemi vërejtur se nga ata studentë që fitojnë bursa në këtë fakultet janë kryesisht studentë të vitit të parë, e nga viti i dytë e tutje vërehet një rënie drastike si dhe përsëritje e viteve nga studentët”, u shpreh Mehmeti.

Salem Lepoja, profesor, u shpreh se një pjesë e madhe e mungesës së stafit vjen nga emërimi i tyre në pozita për departamente tjera.

“Doktori i energjetikes emërohet shef i departamentit të komunikacionit i cili është komplet jokompetentë për këtë fushë e kjo gjithashtu krijon një dëm të dyfishtë, mos dhënie kontributi në lëminë ku ka nevojë. Gjithashtu duhet tu mundësojmë të shkollarëve jashtë Kosovës të angazhohen në fakultet”, u shpreh Lepoja.

Prej një periudhe 5 vjeçare janë pensionuar shtatë profesorë dhe nuk është sjellur asnjë i ri. FIEK aktualisht ka 24 profesorë me marrëdhënie të rregullt pune mosha mesatare e të cilëve është 58 vjeç. FIEK ka aktualisht 1049 studentë të rregullt BA dhe MA.

Në rast të mbylljes së këtij departamenti ndërmarrjet që do pësojnë në mënyrë direkte janë KEK, KOSTT, KEDS, TREPCA DHE INFRAKOS.

Programet e studimit elektorergjetika dhe automatika kanë shpërputhje mes numrit të profesorëve të pensionuar dhe angazhimit të stafit të ri.

Departamenti i Inxhinierisë kompjuterike ka regjistrim më të madh dhe më stabil të studentëve të rinj në periudhën 2012-2019, kurse elektroenergjika ka pësuar rënie në tre vitet e fundit.

Një tjetër pengesë është edhe kriteri i moshës, 30 vjeç për asistentë dhe 50 vjeç për profesor, që sipas aplikantëve është diskriminues sepse këtë kriter nuk e ka asnjë universitet tjetër publik.

Rron Gjinovci, nga ORCA tha se Ministria e Financave ka buxhet por ai po shfrytëzohet për mbinorma dhe bashkëpunëtor të jashtëm.

“Nuk është e vërtetë se Ministria e Financave ka refuzuar të ndajë buxhet për shtim të stafit akademik, por ky buxhet që shkon deri 3 milionë euro në vit po shfrytëzohet për bashkëpunëtor të jashtëm dhe mbinorma. Me këtë keqpërdorim janë mbyllur 200 kuota që do mund të futeshin si asistent të rregullt, Rektori duhet ti ndalë mbinormat dhe të hap më shumë konkurse”, u shpreh Gjinovci.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar themelimin e grupit punues për të shqyrtuar mungesën e kuadrove dhe të ardhmen e këtij drejtimi, por deri me tash nuk ka diçka konkrete edhe për shkak të mos stabilitetit politik.