Ilustrimi: Jeta Dobranja/Trembelat

Çfarë e bën një kandidat të zgjedhshëm?

Koha e fushatës zgjedhore është kohë numrash. Numra të sondazheve, numra të punësimeve, numra të rritjes ekonomike, numra të renditjes së partive politike në fletëvotim, e numra të renditjes së kandidatëve në listat partiake. Për një vend si Kosova, e cila ka treguar aftësi jo të mira numerike në testin ndërkombëtar të PISA, duhet të jetë sfidë orientimi me numra.

Gjatë tërë fushatës zgjedhore, kandidatët për deputetë, krahas emrit dhe mbiemrit, kanë edhe një numër të cilin ua ndan partia. Pas sfidës për të zënë vend në listë, sfida e radhës e kandidatëve për deputet është ta sigurojnë një numër i cili mbahet mend lehtë. Të tillë janë numrat një shifror në top-listë, numrat e plotë (40, 50, 60, 100), apo numrat përsëritës (33, 55, 77, 99). Por, sa ndikon realisht numri për t’u bërë deputet? Çfarë e bën një kandidat për deputet të zgjedhshëm, nëse bazohemi vetëm në renditjen në lista?

A ka rëndësi renditja në listat zgjedhore?

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, Vetëvendosje po merrte pjesë për herë të parë. Së bashku me një koalicion të partive më të vogla, radhitja e kandidatëve në listën zgjedhore u bë sipas renditjes alfabetike, duke u bazuar në shkronjën e parë të emrit të kandidatëve. Si rrjedhojë, tetë nga trembëdhjetë deputetët të cilët hynë në Kuvend nga lista e Vetëvendosjes mbanin emër që fillonte me shkronjën “A”. Kryetari aktual i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili ishte i renditur shumë mbrapa në listë, mezi arriti të marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare Vetëvendosje nuk e aplikoi këtë kriter.

Që nga zgjedhjet e vitit 2007, kur edhe u hapën listat zgjedhore, shumica e absolute e kandidatëve të renditur në dhjetëshen e parë kanë arritur që të hyjnë në Kuvend. Dhjetëshja e parë e PDK gjithnjë ka hyrë në Kuvend, kurse te LDK, vetëm në zgjedhjet e fundit (2014) një kandidat nuk ka arritur të fitojë vota të mjaftueshme për deputet. Në legjislaturën e fundit të Kuvendit, deputetët e Vetëvendosjes të cilët ishin të radhitur në dhjetëshen e parë, arritën të hyjnë që të gjithë në Kuvend.

Të dhënat tregojnë se radhitja e kandidatëve në lista ka rëndësi për atë se sa vota merr një kandidat. Duke analizuar listat zgjedhore dhe votat e marra të kandidatëve që nga 2007, duket qartë se kandidatët të cilët radhiten në fillim të listave, marrin më shumë vota se sa ata që janë kah mesi ose fundi i listës.

  1. Votat e kandidatëve të PDK sipas renditjes në listë në zgjedhjet parlamentare të 2007, 2010 dhe 2014

Këtu ndikim të madh mund të ketë edhe ajo që partitë politike kanë tendencë që vendet e para në listë t’ua ndajnë anëtarëve më aktivë të partisë.

  1. Votat e kandidatëve në katër partitë më të mëdha në zgjedhjet e 2014
Votat e kandidatëve në katër partitë më të mëdha

Por vetëm radhitja në listë nuk e ndikon atë se kush mund të zgjidhet ose jo. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Skender Hyseni (LDK) dhe Laura Kryeziu-Selimi (AAK) edhe pse ishin të radhitur me numër nëntë në listë, nuk arritën që të marrin vota të mjaftueshme për deputet. Në anën tjetër, Bekim Haxhiu (PDK), në dy zgjedhjet e fundit ishte radhitur i parafundit në listë dhe në të dy herët mori mbi 12 mijë vota, të mjaftueshme për t’u bërë deputet.

Sa luan rol fati?

Zakonisht, partitë bëjnë radhitjen e deputetëve në listë para se KQZ t’i ndajë numrat e partive. E në secilën parti, dikujt i bie fati që të ketë numrin e njëjtë me të partisë. Në të kaluarën kjo u ka ndihmuar jo pak deputetëve. Në zgjedhjet e vitit 2007, numër të mjaftueshëm të votave për deputet fituan edhe Gani Buçinca (PDK) dhe Adem Hajdaraj (LDK). Këta dy deputetë mbanin numrin identik me numrin e partisë, 71 dhe 89. Në zgjedhjet e fundit parlamentare këtë fat e kishin edhe Njomza Emini (LDK, me numër 54), Bali Muharremaj (AAK, me numër 44) dhe Raif Qela (PDK, me numër 49). A do të përfitojnë në këtë mënyrë edhe Driton Selmanaj (LDK), Ali Lajçi (VV) dhe Teuta Haxhiu (PDK-AAN-Nisma), të cilët në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit mbajnë numër identik me atë të partisë?

A ka rëndësi rajoni prej nga vjen kandidati?

Përkundër asaj se Kosova aplikon vetëm një zonë zgjedhore dhe se partitë politike garojnë për vota në shkallë vendi, prapë se prapë partitë kanë bazë të fuqishme rajonale. Nuk është asgjë e re të themi se PDK ka bastione votuesish më shumë në rajonin e Drenicës, AAK në rajonin e Dukagjinit, LDK në rajonin e Llapit, e NISMA identifikohet me komunën e Malishevës. Vetëm Vetëvendosje duket se nuk ka një bastion të saj, edhe pse shumica e votave që merr kjo parti janë nga regjioni i Prishtinës. Andaj, për një kandidat/e nga Podujeva është më e vështirë të fitojë vota të mjaftueshme për deputet/e nëse garon në listën e AAK, se sa nëse do të kandidonte në listën e LDK. Njësoj, një kandidat/e për deputet/e nga Skenderaj, do ta ketë shumë më të vështirë që të fitojë vota të mjaftueshme për deputete nëse radhitet në LDK, se sa po të ishte pjesë e listës së PDK.

Në cilën parti fitojnë më shumë vota gratë kandidate?

Që në zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë aplikohet kriteri i kuotës 30% të përfaqësimit të grave në lista zgjedhore dhe në Kuvend. Dhe partitë politike e “respektojnë” këtë kriter me përpikëri, duke mos ndarë për gratë asnjë vend më shumë se sa që parashihet me ligj. Por, nëse analizohen rezultatet zgjedhore, duket se votuesit e LDK kanë më shumë prirje që të votojnë kandidatet gra, në krahasim me votuesit e partive tjera. Në zgjedhjet parlamentare të 2010, nga nëntë gra deputete nga radhët e LDK, vetëm dy prej tyre kishin hyrë në Kuvend falë kuotës, të gjitha të tjerat kishin fituar votat e mjaftueshme.

Por nëse analizohen votat e fituara në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare, del se në mesatare gratë në listën e PDK fitojnë vota më shumë se sa gratë në listën e LDK, por kjo nuk u mjafton që të hyjnë në Kuvend pa kuota, ashtu sikurse grave në listën e LDK. Gratë më pak të votuara janë në listën e AAK.

Sa ndikon në vota ndërrimi i partisë?

Në vazhdimësi, në çdo palë zgjedhje, ka kandidatë të cilët garojnë në një listë partiake të ndryshme nga ajo ku e kanë filluar karrierën politike. Për shembull, në tri zgjedhjet e fundit, Zafir Berisha ka qenë kandidat për deputet me tri parti të ndryshme politike, por numri i votave të marra ka shkuar duke rënë vazhdimisht. Të njëjtin fat e kanë pasur shumica e atyre që kanë ndërruar parti. I tillë është rasti i Hydajet Hysenit dhe Emrush Xhemajlit, të cilët kaluan nga PDK në Vetëvendosje, por nuk arritën të marrin vota të mjaftueshme për t’u rikthyer në Kuvend. I tillë është rasti i Haki Shatrit e Melihate Tërmkollit, të cilët pas kalimit nga LDK në AAK, pësuan rënie të madhe të votave. Por, ka raste kur ndërrimi i partisë nuk i penalizon në vota kandidatët. Si për shembull rasti i Ismail Kurteshit, i cili ishte për pak kohë deputet i PDK në legjislaturën e tretë, pastaj kaloi në Vetëvendosje dhe u zgjodh dy herë radhazi për deputet.

Sa ndikojnë gabimet e komisionerëve në vota?

Me mbylljen e vendvotimeve, fillon numërimi i votave për parti. Pas numërimit të votave për parti, fillon numërimi i votave për kandidatët brenda asaj partie. Numërimi i votave të partive është më i lehtë e më i thjeshtë se sa numërimi i votave të kandidatëve për deputet. Përderisa manipulimi me vota për parti ka rënë dukshëm, manipulimi me votat e kandidatëve për deputetë është ende shumë i lartë. Në shumicën e fletëvotimeve në të cilat votuesit nuk i kanë rrumbullakuar numrat e pesë kandidatëve, zakonisht numëruesit i plotësojnë ato, duke rrumbullakuar numrin e kandidatit i cili është më i njohur për atë vendvotim.

Përveç kësaj, edhe po mos të ekzistonte qëllimi i keq i manipulimit me vota të kandidatëve për deputet, vetë procedurat e numërimit manual bëjnë që shumë kandidat të humbin vota e shumë të tjerë të fitojnë. Në rast se do ekzistonte një numërim i dytë i votave, jam i sigurt se shumicës së kandidatëve për deputet do t’u dilnin vota të ndryshme në krahasim me votat e shënuara në fletët llogaritëse të komisionerëve.

Si do të ndikojnë koalicionet në votat për deputetë?

Këto janë zgjedhjet e para në të cilat partitë më të mëdha politike hyjnë në koalicione parazgjedhore. Dhe për këtë vendim të partive politike duket se ka luajtur rol shumë të madh interpretimi i Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve parlamentare të 2014, sipas së cilit partia ose koalicioni i cili merr numrin më të madh të votave ka të drejtën e nominimit të kryetarit të kuvendit dhe mandatarit të qeverisë.

Por, në koalicionet parazgjedhore, ekziston gjithnjë mundësia që partitë më të vogla të dëmtohen në vota. Për shembull, nga koalicioni parazgjedhor me PDK-në, më e dëmtuara mund të dalë AAK. Tani e 17 vite, PDK dhe AAK kanë një votues në bastione të ndryshme. Edhe pse të dy partitë vijnë nga “krahu i luftës”, të dy partitë kanë “krahë” të ndryshme votuesish në regjione të ndryshme. Duke marrë parasysh se në koalicione të mëdha numri i nevojshëm i votave për deputet do të rritet dukshëm, AAK do të ketë të vështirë që të dërgojë deputetë në Kuvend aq sa kishte në dy zgjedhjet e kaluara.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, përderisa kandidati i tretë më i votuar në AAK ishte Pal Lekaj me 8,481 vota, në listën e PDK kandidati me 8,500 vota ishte kandidati i 35-ti me vota të fituara. Andaj, në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, nëse AAK merr votat e njëjta me ato të 2014, ekziston mundësia që mandatin e deputetit ta fitojnë vetëm pesë deputetë: tre të radhiturit në dhjetëshen e parë, deputetja e cila mban numrin e njëjtë me atë të partisë, si dhe Daut Haradinaj i cili ka një bazë më të madhe votuesish. Për të shpëtuar nga një skenar i tillë, AAK-së i duhet që të punojë në votimin në blloqe, duke kërkuar që të votohen pesë kandidatë të caktuar për deputetë në bastionet ku ata marrin më shumë vota, si në Deçan, Gjakovë e Pejë.

Fat i njëjtë mund ta përcjellë edhe AKR-në e cila ka hyrë në koalicion me LDK-në. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat AKR nuk arriti të kaloj pragun zgjedhor, personi i dytë më i votuar ishte Ibrahim Makolli me 8,917 vota, kurse te LDK personi me aq vota ishte i 17 në listën e më të votuarve. Këto zgjedhje mund ta nxjerrin vetëm Behgjet Pacollin dhe Labinot Tahirin në listën e deputetëve, falë renditjes së tyre në dhjetëshen e parë.

Por për NISMA-n ky problem mund të mos paraqitet, duke marrë parasysh se shumica e anëtarëve të NISMA-s ndajnë të njëjtën bazë elektorale me atë të PDK.

Sa ndikon në zgjedhje edukimi i votuesve?

Shumë vende në zhvillim dhe vende të pazhvilluara përballen me problemin e votuesve të paedukuar. Një pjesë e madhe e votuesve në Indi, Brazil, Mozambik, e vende tjera nuk dinë shkrim e lexim. Këta votues votën e tyre e japin duke u bazuar në simbolet e partive dhe në fotografitë e kandidatëve.

Në dizajnimin e sistemit zgjedhor në Kosovë rol të madh ka luajtur edhe niveli i edukimit të votuesve. Kosova aplikon një sistem të thjeshtë zgjedhor, pikërisht nga frika se votuesit nuk do të dinë të votojnë në një sistem më të komplikuar zgjedhor. Edhe me këtë sistem zgjedhor, një numër mjaft i madh i fletëvotimeve shpallen të pavlefshme e në shumë raste nevojitet asistim në votime. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të qershorit 2014, mbi 30 mijë fletëvotime u shpallën të pavlefshme, apo 4.1% të tyre.

Një votues i edukuar mirë nuk do të jepte votën e tij bazuar vetëm në rangimin e kandidatëve në listat e partive. Më shumë se sa çështje numrash, votimi do të duhej të ishte çështje parimesh e programesh. Po ashtu, për një kandidat për deputet, më shumë se sa të kalkulohet se në cilën parti i ka gjasat më të mëdha për fitore, ai do të duhej të ndiqej nga parimet dhe programet e partive.

Por, kur mungon votuesi racional dhe i edukuar, dhe kur kandidaturat nuk bazohen në parime dhe programe, atëherë numrat luajnë rol të madh se kush zgjidhet deputet, e kush mbetet vetëm kandidat.