Prokuroria kërkon paraburgimin e gruas që dyshohet se abortoi jashtligjshëm 

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka parashtruar kërkesën në gjykatë për të caktuar masën e sigurisë, atë të paraburgimit për Xh. L, gruaja e cila u arrestua gjate ditës së djeshme (01.07.2024) nën dyshimin për vrasje të foshnjës.

Kjo pasi që e dyshuara siç ka raportuar edhe KALLXO.com dyshohet se kishte kryer abort të paligjshëm në shtëpi e më pas e njëjta ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj XH. L., për shkak të veprës penale ‘Vrasja e foshnjës gjatë lindjes’”- ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Më 01.07.2024, një grua bashkë me nënën e saj u arrestuan nga policia nën dyshimin për vrasje të foshnjës gjatë lindjes si dhe për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

KALLXO.com mësoi se ngjarja e raportuar në orët e para të datës 30.06.2024 fillimisht nisi në shtëpinë e të dyshuarave e më pas të njëjtat përfunduan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Burime të KALLXO.com tregojnë se fillimisht aborti i jashtëligjshëm kishte nisur në shtëpi ndërsa dy të dyshuarat nënë e bijë më pas kanë shkuar në institucionin shëndetësor për trajtim mjekësor.

Në raportin policor 24 orësh, thuhet se vepra penale që është iniciuar për këtë rast është ‘vrasje e foshnjës gjatë lindjes’.

Ngjarja ka ndodhur në Podujevë deri sa sipas policisë, është raportuar se fillimisht gruaja ka kërkuar trajtim mjekësor pasi dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme.

Të dy të dyshuarat nënë e bijë janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa njësitet e hetuesisë dhe Prokuroria tashmë po hetojnë rastin për të zbardhur gjithë ngjarjen.

Dyshohet se abortoi jashtëligjshëm foshnjen, arrestohen nënë e bijë