Foto: Glauk Konjufca, Facebook

Konjufca pritet në takim nga homologu i tij në Maqedoni të Veriut, flasin për të ardhmen e rajonit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca sot më 19.06.2024, është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Konjufca ka thënë se ky takim ishte mundësi e mirë që të diskutojnë me të dhe përfaqësuesit e vendeve të tjera për të ardhmen sa më të mirë të rajonit.

“Vizioni i zhvillimit ekonomik, i bashkëshoqëruar nga stabiliteti e siguria, nën parimet e palëkundura të demokracisë, bashkëpunimit, respektit dhe barazisë, si dhe qëllimeve të përbashkëta, janë formulimi që e sjell Republikën e Kosovës, si dhe vende të tjera të rajonit, në këtë organizim të rëndësishëm që i përgjigjet Strategjisë së Evropës Juglindore 2030, si dhe udhëzimeve të saj strategjike për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rajon dhe progres në të mirë qytetarëve tanë”- ka shkruar Konjufca.

Darka zyrtare e tyre është zhvilluar në kuadër të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Konjufca ka thënë se pati rastin që përgjatë bisedave të parashtroj kontributin dhe perspektivën e Republikës së Kosovës përbrenda këtij vizioni të përbashkët.

“Kosova pret që SEECP të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, të ndihmojë në rritjen e sigurisë në tërë rajonin, përfshirë Kosovën dhe të dënojë ashpër sjelljet që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe rrugëtimin evropian të Kosovës dhe rajonit”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se Kosova pret që ky forum të mbështesë fuqishëm ambiciet integruese të rajonit dhe të kërkojë nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të mundësojnë për Kosovën statusin e kandidatit në BE dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndër to edhe në Këshillin e Evropës.