Foto: Besnik Hulaj/Facebook

Incident zjarri në Deçan, digjen drutë e shkollës

Një incident zjarri ka ndodhur në Shkollën Fillore “Sylejman Vokshi” në Deçan, në mesnatën e datës 20.01.2026.

Lajmin e ka bërë të ditur Besnik Hulaj, drejtori i Arsimit në Deçan, i cili ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit.

Hulaj thotë se zjarri ka përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur.

“Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar nga drejtori i Shkollës Fillore “Sylejman Vokshi” për një incident zjarri, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij.”- thuhet në njoftimin e Hulajt.

Ky incident siç ka thënë Hulaj nuk ka ndikuar në procesin mësimor të Shkollës “Sylejman Vokshi”. 

“Ai do të vazhdojë pa asnjë ndërprerje, pasi që shkolla është e pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje. Po ashtu, do të bëhet furnizimi i menjëhershëm me dru për ngrohje.”- ka shtuar Hulaj.

Ai ka thënë se menjëherë janë lajmëruar edhe Policia e Kosovës, e cila sipas tij, është duke u marrë me rastin në përputhje me procedurat ligjore.

“Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional, sidomos duke marrë parasysh kushtet e vështira dhe temperaturat e ulëta, ku kanë qëndruar në terren gjatë gjithë natës.”- ka thënë ai.

KALLXO.com e ka pyetur Fadil Gashin, zëdhënësin e Policisë për rajonin e Pejës dhe është në pritje të përgjigjeve.