Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Foto: Zgjim Sefa, KALLXO.com

Ministri i Sportit: Moslejimi i boksierëve në turneun e boksit në Beograd është vendim i Qeverisë së Serbisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se moslejimi i ekipit kosovar të boksit për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që po mbahet në Beograd, është vendim i Qeverisë së Serbisë.

“Jemi këtu për të adresuar shkeljet dhe padrejtësinë që i janë bërë boksierëve kosovarë. Në emër të qeverisë dënojmë këtë. Vendimi për moslejimin e boksierëve është vendim nga qeveria e shtetit të Serbisë”, ka thënë Çeku.

Lidhur më këtë problem, ministri Çeku ka thënë se ka pasur kontakte edhe me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Quintit në Kosovë.

“Kemi komunikuar me shtetet e Quintit në Kosovë por ende s’ka reagim nga ana e tyre lidhur me këtë çështje po ashtu kemi komunikuar edhe me Bashkimin Evropian”, thotë Çeku.

Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Lutfi Demolli, ka përshkruar momentin kur boksierët kosovarë nuk janë lejuar që ta kalojnë kufirin me Serbinë.

“Ditën e parë jemi ndaluar nga policia serbe dhe na kanë kërkuar largimin e simboleve shtetërore. Kjo kërkesë nuk është pranuar nga ana jonë. Kemi pritur 6 orë dhe nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje nga Federata Ndërkombëtare e Boksit. Edhe herën e dytë edhe të tretën kanë kërkuar që ne të kalojmë kufirin pa simbole shtetërore”, ka thënë Demolli.

Ai po ashtu është shprehur se kjo do t’iu mundësonte pjesëmarrësve pikë olipike që janë shumë të rëndësishme për Lojërat Olimpike që do të mbahen në Paris në vitin 2024.

“Ne kemi dashur që përmes pjesëmarrjes në këtë turne të fitojmë pikë për lojërat olimpike “Paris 2024” është shprehur Demolli.

Ekipi kosovar i boksierëve përbëhej nga: Patrit Behrami, Shpetim Bajoku, Bashkim Bajoku si dhe përzgjedhësi, Besim Brahimi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Boksit, Latif Demolli.